Avokati mbrojtës i Sami Lushtakut, Arianit Koci, ka kërkuar që klienti i tij të transferohet në burgun e Dubravës.
Sipas tij, burgu i Sigurisë së Lartë nuk i plotëson kushtet e nevojshme për trajtim. Por, ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë që klienti i tij të vazhdojë trajtimin në QKUK.
Sipas Kocit, gjendja shëndetësore e Lushtakut kërkon trajtim të vazhdueshëm mjekësore dhe përcjellje të gjendjes për 24 orë. Këto konstatime ai i mbështet në rekomandimin e mjekësve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, transmeton Gazeta Tribuna.
Kushtet në burg, por edhe të gjitha raportet mjekësore të lëshuara nga QKUK mbi gjendjen shëndetësore të Sami Lushtakut janë duke u analizuar nga EULEX.
Madje për këtë EULEX ka angazhuar një mjek ndërkombëtar.
Vlerësimi i raporteve mjekësore është duke u bërë edhe për ish ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, ka thënë Dragana Nikoliq Solomon, zëvendësshefe e Zyrës për Informim Publik në EULEX.