Koalicioni me PDK-në ia mundëson LDK-së zgjedhjen e kryesuesit të KK të Istogut

E publikuar: 03/02/2018 21:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në mbledhjen e dytë të rregullt të legjislacionit të VI-të të mbajtur sot, këshilltarët e Kuvendit të Komunës të Istogut kanë zgjedhur Qaush Balajn nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kryesues të ri të Kuvendit.

Kështu ka bërë të ditur kjo komunë, ndërsa ka thënë se lidhur me pikën e rendit të ditës, zgjedhjen e kryesuesit të kuvendit, procesi i votimit u bë në mënyrë të fshehtë.

“Pas raundit të tretë të votimit në të cilin morën pjesë 26 anëtarë, votuan 18 anëtarë ndërsa abstenuan 8 nga anëtarët prezentë. Komisioni për mbikëqyrjen e procesit të votimit konstatoi se me 18 vota për dhe 8 abstenime kryesues i kuvendit u zgjodh Qaush Balaj”, thuhet në njoftimin e Komunës, raporton Koha.net.

Me këtë rast kryesuesi i ri i kuvendit, Qaush Balaj ka falënderuar këshilltarët për besimin e dhënë duke premtuar se funksionin e tij do ta ushtrojë në pajtim të plotë me Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe Statutin e Komunës si dhe dispozitat e tjera ligjore që rregullojnë funksionimin e kuvendit të komunës.

Kujtojmë se zgjedhja e Balajt në këtë pozitë u bë pas koalicionit të arritur mes LDK-së dhe PDK-së në këtë komunë.