Koalicioni PDK- LDK po lëkundet. Mustafën e Thaçin i presin dy ditë vendimtare- në Bruksel e Berlin!

E publikuar: 28/06/2015 21:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij Hashim Thaçi për të cilin jo vetëm mediat në Kosovë dhe ato ndërkombëtare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë në vend e konstatojnë që është poaq kryeministër – në mos edhe më shumë, në gjashtë muajt e parë të Qeverisjes mes dy partive më të mëdha të vendit nuk treguan edhe ndonjë vullnet, dëshirë e dije për të filluar me reformat e mëdha dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar në vend. Për më tepër- të dy këta dhe koalicioni i tyre gjigand duket që kanë përmbushur plotësisht pritjet e anëtarësisë së tyre- për punësime, klientelizëm, e çka jo tjetër. Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet e fuqishme evropiane kanë “toleruar” këtë situatë me arsyetimin që ky koalicion ka pos legjitimitetit edhe fuqinë e “makinës së votës” në Kuvend- qoftë kur dialogu me Beogradin është në pyetje dhe sidomos kur themelimi i Gjykatës Speciale parashikohej.

Por me dështimin e javës së kaluar situata ka marrë përmasa dramatike. Për Koalicionin PDK-LDK nuk priten ditë të mira pas dështimit në fjalë. Prandaj- përmbyllja e disa marrëveshjeve me Beogradin në Bruksel si dhe vizita që Mustafa e Thaçi do t’ia bëjnë Berlinit për të dy këta paraqet edhe dy shanset e fundit- që në të mbeten në pushtet dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje.

Burime diplomatike gjermane i kanë thënë Gazetës Blic se Mustafa dhe Thaçi nuk do të kenë shumë mundësi të flasin.

“As në Bruksel e aq më pak në Berlin- mundësitë e tyre që të thonë diçka sesi do të bëjnë këtë apo atë projekt- janë mëse të kufizuara. Partnerët tanë në Washington dhe në BE janë mëse të zemëruar me të dy. Do t’ju bëhet shumë e qartë që kanë vetëm edhe disa ditë afat- dhe atë pa shkaktuar turbullira- të vazhdojnë me dialogun, të themelojnë Gjykatën Speciale dhe t’ua nisin reformave në vend- ndryshe do t’ju bëhet e qartë që do të izolohen nga ne”, ka thënë një diplomati lartë gjerman në Berlin për Gazetën Blic.