Refuzimi i LDK-së që ta aprovojë projekt propozimi për ndërtimin e çerdhes në hapësirat e spitalit të qytetit në Mitrovicë, ka shkaktuar çarje mes AKR-së dhe LDK-së, që janë partner koalicioni.
Kryetari Agim Bahtiri nuk ishte i pranishëm gjatë seancës së kuvendit kur u votua kjo pikë, por ai mori në telefon shefen e grupit parlamentar, Xheverije Bahtiri – Ademi, të cilën e urdhëroi që ta lëshojnë sallën e të kërcënojnë me prishje koalicioni, raporton KTV.
Këtë e konfirmon edhe Mehdi Haxha nga radhët e PDK-së, sipas të cilit, ky koalicion është drejt fundit.
Haxha shtoi se Bahtiri ka kërkuar mbështetje nga PDK-ja në rast të prishjes së koalicionit.
Por, Safet Kamberi, kryetar i degës së LDK-së në Mitrovicë, thotë se koalicioni është stabil dhe se këto diskutime nuk janë asgjë, transmeton Koha.net.
KTV-ja ka tentuar të marrë një prononcim nga Agim Bahtiri, por ky i fundit nuk ka pranuar të flasë, me arsyetimin se është duke u konsultuar me kryesinë e partisë. Por, sipas tij, një koalicion nuk mund të vazhdojë nëse njëri partner nuk përkrah zhvillimin ekonomik të komunës.