KMShK hedh poshtë ankesën e Avni Deharit, tre kryeredaktorë lëshojnë sallën

E publikuar: 30/11/2016 11:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e mbajtur dje ka shqyrtuar ankesën e babait të Astrit Dehari, Avni Dehari kundër portalit Gazeta Express i cili publikoi videon e pamjeve nga burgu i Prizrenit në momentin kur ishte gjetur pothuajse pa shenja jete djali i tij.

Në njoftimin që ka dërguar thuhet se KMShK, konstatoi se publikimi i videos nga korridoret e burgut në Prizren është nisur nga fakti se ai ka paraqitur interes për publikun, dhe se është një video e vërtetë e kamerave të burgut.

“Ata si media e kanë kryer punën e vet profesionale duke mos e paragjykuar se çfarë vdekje ishte ajo sepse për këtë nuk vendosin mediat por organet përgjegjëse. Gjithashtu, u konstatua se në videon e përmendur, Gazeta Express nuk ka publikuar skena të vrazhda me të cilat do të rëndoheshin ndjenjat e familjarëve dhe të publikut”, thuhet në njoftim.

Mirëpo kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore” Agron Bajrami ka kërkuar vazhdimisht që për këtë çështje të jap vlerësime edhe dikush nga Komisioni i Pavarur për Media ndërkohë që kjo nuk ka ndodhur.

Të indinjuar nga ky fakt, kryeredaktori Bajrami, kryeredaktori i portalit “InfoSot”, Fatlum Rrahmani dhe ai i portalit “Arbresh.info”, Avni Jashari e kanë lëshuar sallën në shenjë pakënaqësie.

KMShK, gjithashtu, pasi diskutoi rreth një reagimi fyes të publicistit Nexhmedin Spahiu ndaj anëtarëve të Këshillit që ka të bëjë me pakënaqësinë e tij ndaj një vendimi që KMShK mori pas ankesës së tij drejtuar këtij Këshilli, vendosi si vijon: KMShK e konsideron të papranueshme dhe fyese gjuhën e përdorur ndaj anëtarëve të bordit nga ana e publicistit Spahiu.