KMLDNJ akuzon KEDS’in për fryrje të faturave

E publikuar: 20/02/2017 23:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

??????????????

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të ankohen për çmimet e larta të rrymës elektrike, nga faturat që u kanë ardhur muajve të fundit.
Përkrah qytetarëve del të jetë Këshilli për Mbrojtjen, Liritë dhe të Drejtat e Njeriut- KMDLNJ.

Behxhet Shala, udhëheqës i këtij Këshilli, thotë se KEDS-i e ka nisur sezonin dimëror me shtrenjtim të cilën e quan si “gjueti ndaj konsumatorëve të Kosovës”.

“Sezoni dimëror është sezoni i artë i fryrjeve të këtyre tarifave, ku as edhe profesionistët më të mëdhenj nuk do të jenë në gjendje t’i hetojnë vjedhjet që bëhen brenda KEDS. Dhe kjo është koha kur KEDS nis gjuetinë ndaj konsumatorëve të Kosovës”, u shpreh Shala në KTV.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala në një intervistë për emisionin “Ekonomia me Erëzën”, arsyetohet se kjo rritje është si pasojë e aplikimit të tarifave dimërore.

“Dihet që jemi në kohën e tarifave dimërore dhe ato janë më shtrenjta se veroret, për shkak të rritjes së konsumit”, ka thënë Buzhala.

Tarifat për energjinë elektrike ndahen në dy sezone. Sezonin dimëror dhe atë veror. Sezoni dimëror fillon nga 1 tetori deri më 31 mars, kurse sezoni veror fillon prej 1 prillit deri më 30 shtator./koha.net/