Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë ka shprehur shqetësimin për sjelljen e autoriteteve maqedonase për trajtimin e të arrestuarve në Kumanovë si dhe gjatë mbajtjes në paraburgim në objektin në Shutkë.
KMDLNJ, përmes kontaktit me aktivistë për të drejtat e njeriut në Maqedoni, ka shprehur gatishmëri t’i vizitojë të paraburgosurit së bashku me ta, por është informuar se kjo është e pamundur dhe se deri më tani kjo nuk u është lejuar as aktivistëve për të drejtat e njeriut të Maqedonisë.
Mëtutjue, nëpërmjet një njoftimi për media, ky këshill thotë se të arrestuarit në Qendrën e Paraburgimit në Shutkë mund dhe duhet të vizitohen nga zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Maqedoni të cilët, përveç vizitave që duhet t’ua bëjnë, duhet t’u sigurojnë edhe mbrojtje ligjore si dhe ta monitorojnë procesin e gjykimit.
Të arrestuarit kosovarë mund dhe duhet të vizitohen edhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që ka mandat të plotë dhe nuk mund të pengohet për këto vizita.