Foto REL
Këshilli për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNj) u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos udhëtojnë nëpër Serbia, derisa të qetësohet situata në veri të Kosovës.
“Së paku tre qytetarë të Kosovës janë arrestuar në pikën kufitare në Merdare nga policia e Serbisë, pa e ditur arysen e arrestimit. Sipas mediave, një familjar paska deklaruar se janë arrestuar vetëm se janë shqiptarë dhe se nuk janë arrestuar nga policia kufitare por se qenkan arrestuar nga njësitë policore të ardhura nga Beogradi”.
“Nuk është dhe sigurisht nuk do të jetë hera e fundit që qytetarët e Kosovës janë arrestuar dhe do të arrestohen gjatë udhëtimit nëpër Serbi, si rrugë për shtete të tjera ku jetojnë dhe punojnë. Këto arrestime shpeshtohen gjatë kohës së pushimeve, verore dhe dimërore dhe festave kur ardhja e bashkatdhetarëve është më e madhe, KMDLNj –ë disa herë ka reaguar për këto arrestime duke bërë thirrje publike që mos të udhëtohet përmes Serbisë aq më parë që ka mundësi të tjera për udhëtim siç janë përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Qytetarët shqiptarë nga Kosova që po arrestohen në Serbi, shumica e tyre mbahen disa muaj në arrest dhe pasi paguajnë një shumë të madhe të parave lirohen për ta vazhduar rrugën. Paratë ua marrin disa avokatë sekserë që flasin në emër të prokurorisë dhe gjykatave të Serbisë, të cilat, sipas sekserëve kërkojnë para për t’i liruar. Sidomos gjatë pushimeve, qytetarët e Kosovës përballen me shumë probleme gjatë udhëtimit nëpër Serbi duke filluar nga vjedhja e gjësendeve nga automobili, gjobat e larta dhe të shpifura nga policia serbe e deri te arrestimi i tyre”.
“Policët serbë dhe gjykatat e kanë të qartë se bashkatdhetarët tanë mund ta humbin vendin e punës në shtetet ku punojnë dhe jetojnë prandaj edhe paguajnë para për ta blerë lirimin ndonëse nuk kanë bërë asnjë vepër penale. Sipas informatave të KMDLNj-së, të arrestuarit në Merdare dërgohen në Burgun në Prokuple ku funksionon në mënyrë të përkryer skema e korrupsionit; avokatë, prokurori dhe gjykata. Të burgosurit shqiptarë kanë vizita të rregullta familjare që parashihen sipas rendit të entit mbajtës sikur që nuk kanë probleme me të dënuarit tjerë apo me stafin mbajtës”, thuhet në komunikatë.