KMDLNJ: Qytetarët nuk duhet të paguajnë për testin COVID, është përgjegjësi e shtetit

E publikuar: 13/08/2020 11:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka filluar tashmë t’i licencoj laboratorët privatë të cilët kryejnë teste serologjike SARS COV2.

Për këtë ka reaguar KMDLNJ, duke thënë se qytetarët e Kosovës nuk duhet të paguajnë për testin COVID-19 dhe se kjo është përgjegjësi e shtetit.

“Është rritur kapaciteti për testim, sidomos me licencimin e laboratoreve private e që KMDLNJ, në mungesë të transparences, nuk i ka të qarta kriteret në bazë të cilave është dhënë licenca. Rritjen e kapaciteteve për testim, KMDLNJ e sheh si të domosdoshme dhe pozitive për qytetarët e Kosovës mirëpo kërkon një mbikëqyrje serioze, ndryshe ekziston rreziku real për një korrupsion pandemik. KMDLNJ kundërshton çmimet e caktuara si të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës aq më parë që kemi thellim të krizës ekonomike me ç’rast një numër i madhe varet nga asistenca sociale dhe nga pakoja emergjente. Krijimi i kushteve për testim në raste kur dyshohet për infektim me COVID-19, është përgjegjësi e shtetit përjashtuar rastet kur të testuarit e bëjnë testin për qëllime turistike, të bërit biznes e që nuk kanë asnjë problem të natyrës financiare. Subvencionimi i shtetit prej 18 % siç ka deklaruar ministri Zemaj, nëse bëhet në mënyrë lineare për KMDLNJ është e papranueshme, diskriminim flagrant, mosdashje për luftim të pandemisë dhe varfërim të popullatës”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.