Serbia kurrë nuk i ka zbatuar Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel apo ato i ka zbatuar për aq sa ka pasur interes, thekson KMLDNJ.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut reagon ashpër kundër moszbatimit të Marrëveshjes për qarkullim të lirë të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë përkatësisht për shkak të detyrimit të zbatimit të njëanshëm të kësaj Marrëveshjeje e cila i dëmton materialisht qytetarët e Kosovës ndërsa i favorizon duke i liruar nga çdo lloj pagese qytetarët e Serbisë.
“Qytetarëve të Kosovës u është servuar një informatë e që në fakt doli të jetë dezinformatë se Marrëveshja me Serbinë do të zbatohet duke respektuar reciprocitetin midis dy shteteve e që nënkupton se edhe detyrimet si dhe përgjegjësitë duhet të bazohen në bazë të reciprocitetit. Doli të jetë një mashtrim i radhës sepse qytetarët e Kosovës për të hyrë në territorin e Serbisë përveç sigurimit duhet t’i zëvendësojnë tabelat e regjistrimit të RKS me tabela provuese dhe për të cilat duhet të paguajnë 5 euro shtesë gjë që nuk vlen për ngasësit e automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Serbia kurrë nuk i ka zbatuar Marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel apo ato i ka zbatuar për aq sa ka pasur interes ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë presion për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara në ndërkohë që presionin e ka drejtuar gjithmonë te Kosova.
Qytetarët e Kosovës, përveç se po plaçkiten nga autoritetet serbe gjatë kalimit të Kosovës ata po bien viktima të një mashtrimi ordiner dhe të paskrupullt që po ua bëjnë kryesuesit e delegacioneve për bisedime teknike që ndryshe po deklarojnë dhe ndryshe po del të jetë e vërteta. Kosova, ose duhet ta zbatojë parimin e reciprocitetit me Serbinë, ose duhet të tërhiqet nga kjo Marrëveshje që i gjobitë qytetarët e Kosovës dhe i liron nga çdo detyrim qytetarët e Kosovës. Ky moszbatim i Marrëveshjes kufizon në masë të madhe lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës dhe i dëmton materialisht.
KMDLNj kërkon përgjegjësi për këtë mashtrim që i është bërë qytetarëve të Kosovës dhe dorëheqje të atyre që kanë udhëhequr bisedimet, si akt moral por nuk i përjashton edhe përgjegjësitë e tjera. Marrëveshjet duhet, ose të zbatohen nga të dyja palët ose duhet të anulohen. Reciprociteti asimetrik përveç se e injoron Kosovën si shtet i krijon favore të mëdha ekonomike dhe politike palës që nuk e zbaton këtë Marrëveshje, Serbisë. Delegacioni negociues i Kosovës për Marrëveshjen për qarkullim të lirë është treguar jo profesional, i paaftë dhe nënshtrues dhe ka punuar kundër interesave të qytetarëve të Kosovës duke i dëmtuar ata materialisht dhe duke i vënë në pozitë inferiore”, thekson KMDLNJ.