Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut është kundër lajmeve për konvertimin e personave nëpër fe.
Këshilli shton se nuk e kupton se çfarë interesi publik dhe shoqëror kanë lajmet se sa persona janë konvertuar, dhe nëse këtë e kanë bërë me vullnetin e tyre, apo jo.
“Dje në media u publikua një informatë se një shtetase gjermane u konvertua në islam me pëlqimin dhe vullnetin e saj në Xhaminë ‘Sinan Pasha’ në Prizren. Ditë më parë ishte një lajm se në Kishën e ‘Shën Abrahamit’ në Llapushnik një banor i Negrocit u konvertua duke e pranuar besimin e krishterë dhe u pagëzua me emrin Martin Krasniqi. Sipas informatës nga kjo kishë brenda disa ditëve do të ketë edhe konvertime tjera në ndërkohë që me qindra të tjerë po presin të konvertohen apo, siç thonë ata: ‘po i’u kthehen rrënjëve të besimit të të parëve …’. Jo fort moti besimin islam e pranoi edhe një serb duke u pagëzuar me një emër mysliman dhe të cilin Hoxha Shefqet Krasniqi e madhëroi aq shumë sikur të ishte njëri ndër themeluesit e këtij besimi. Është bërë si rregull që gjatë festave të fundvitit përkatësisht Festave të Krishtlindjeve në Katedralen e Prishtinës bëhen konvertime me publicitet mediatik sikur që kjo të ishte ngjarje me rëndësi dhe me interes të përgjithshëm publik dhe shoqëror e jo një çështje krejtësisht personale dhe private që nuk meriton asnjë publicitet, pavarësisht besimit që e lë mbrapa apo atij që e pranon. Besimtarët e besimit ortodoks nuk janë të përfshirë në këtë çështje për faktin se janë jashtë jurisdikcionit të shtetit të Kosovës dhe se të gjitha kontaktet dhe veprimet i bëjnë me pajtim dhe koordinim me Kishën Ortodokse të Serbisë.”
Sipas KMDLNj-së, kjo garë se kush më shumë po konverton dhe se kush më shumë po fiton publicitet me këto konvertime paraqet shqetësim të madh aq më parë që kjo pastaj po përcillet me gjuhë të urrejtjes midis besimeve e që më parë për shqiptarët ka qenë e huaj dhe e papranueshme.
“KMDLNj respekton të gjitha besimet dhe mbron të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë e që është e garantuar me ligj dhe në këtë drejtim Kosova njihet si një vend që i respekton këto të drejta pavarësisht besimit që e kanë apo numrit të besimtarëve që e praktikojnë besimin që i takojnë.”
Nga Këshilli thonë se nuk e kuptojnë pse “mediumet serioze” i kushtojnë kaq shumë hapësirë lajmeve të tilla, madje edhe nëse artikujt e tillë janë me pagesë. Sepse kjo do të prodhonte tensione mes besimeve të ndryshme.
“Një medium serioz nuk do të duhej t’i kushtojë aq hapësirë publicitare (nëse nuk është me pagesë, nëse e ka qëllimin e keq. as pagesa nuk arsyetohet) një dukurie që, herët a vonë do të prodhojë tensione apo mospajtime midis besimeve të ndryshme. Edhe me Kushtetutën e Kosovës është garantuar e drejta e besimit dhe ushtrimit të fesë ku shteti është i ndarë nga feja por ka krijuar një infrastrukturë të mirë ligjore që këto të drejta të ushtrohen papengueshëm dhe pa asnjë diskriminim.”
“Këto tendenca konfrontuese dhe përpjekje për mbizotërim për konvertime, KMDLNj –ë i konsideron si rrezik për të ardhmen dhe legalizim të një gjuhe që është në kundërshtim të plotë me bindjet dhe mësimet fetare, pavarësisht besimit.”