Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), kërkon nga Instituti për Mjekësi Ligjore, në krye me Arsim Gerxhaliun, që të vrarët në Kumanovë, mos të vorrosen pa iu bërë një ekspertizë e re.
Në këtë kontekst KMDLNj kërkon nga institucionet e Kosovës t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e mundshme në mënyrë që të bëhet një ekspertizë e re që do ta përcaktonte mënyrën dhe kohën e vrasjes së nëntë (9) qytetarëve të Kosovës (të gjithë shqiptarë) nga policia dhe ushtria maqedonase në Komanovë, aq më pare që për shkak të mos transparences së autoriteteve maqedonase ka dyshime të bazuara se disa prej të vrarëve mund të jenë ekzekutuar pasi janë arrestuar nga forcat maqedonase, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.
KMDLNj mendon se Instituti për Mjekësi Ligjore i udhëhequr nga prof. Arsim Gërxhaliu ka kapacitet profesional dhe besueshmëri që së bashku me laboratorët e Forenzikës të përcaktojnë saktësisht mënyrën dhe kohën e vdekjes të nëntë (9) qytetarëve të Kosovës të vrarë në Kumanovë. Institucionet e Kosovës duhet ta marrin përgjegjësinë që nëse ka nevojë duhet të angazhojnë edhe ekspertë ndërkombëtarë sikur që duhet të sigurojnë praninë e organizatave për të drejtat e njeriut me renome dhe besueshmëri ndërkombëtare si Amnesty International, Human Rights Watch, Federata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut (FIDH), Komiteti Ndërkombëtarë i Helsinkut etj. që do të përcillnin ekspertizën mjeko-ligjore të të vrarëve në Kumanovë si edhe do të kërkonin nga këto organizata të bëjnë monitorimin e gjendjes shëndetësore dhe trajtimin e nëntëmbëdhjetë (19) qytetarëve të Kosovës që mbahen në paraburgim në burgun e Shutkës në Shkup dhe të cilët nuk mund të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut për shkak të pengesave që u bëjnë autoritetet maqedonase.
Maqedonia është e detyruar t’i respektojë të drejtat e njeriut sipas standardeve ndërkombëtare e në këtë kontekst të drejtat e personave të privuar nga liria ,në përputhje me këto standarde. Moslejimi i misionit monitorues për Institucionin e Avokatit të Popullit të Maqedonisë dhe organizatave për të drejtat e njeriut lë dyshime se personat e arrestuar nuk po trajtohen mirë dhe se ndaj tyre po ushtrohet dhunë për nxjerrje të dëshmive përmes detyrimit me forcë. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i ka plotësuar të gjitha kërkesat e autoriteteve maqedonase por ende nuk ka leje për t’i vizituar qytetarët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në bugun e Shutkës në Shkup dhe është shumë i shqetësuar për trajtimin e tyre. Në të kundërtën, nuk ka asnjë arsye tjetër që të mos lejohet vizita monitoruese për të 19 të arrestuar, të gjithë qytetarë të Kosovës.