Milot Rashica mund të ndryshojë ambient gjatë afatit kalimtar të verës.
Reprezentuesi i Kosovës iu bashkua Besiktasit verën e vitit të kaluar nga Norwich City, për shifrën prej 5.25 milionë eurosh, shkruan Gazeta Express.
Por, vetëm pas një sezoni të kaluar te gjiganti turk, Rashica mund të ndryshojë ambient pasi për shërbimet e tij janë të interesuara disa klube.
Sipas “Sözcü”, për 27-vjeçarin kanë shprehur interesim dy klube nga Serie A dhe një nga Championshipi (kategoria e dytë e futbollit anglez).
Emrat e klubeve të interesuara nuk u bënë të ditura.
Gjithsesi, klubi nga Superliga e Turqisë thuhet se është në pritje të ofertave për sulmuesin vushtrrias.
“Shqiponjat e Zeza” besohet se do të kërkojnë rreth 11-12 milionë euro për anësorin e Kosovës.
Rashica me Besiktasin ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2027.
Milot Rashica këtë sezon ka regjistruar 39 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar pesë gola dhe ka shtuar shtatë asistime.