Klinika e Nefrologjisë në QKUK ka reaguar për pacientin i cili ka rënë nga dritarja të shtunën që shkoi.
Nga kjo Klinikë thonë se pacienti ishte duke u trajtuar mirëpo pas aksidentit familjarët në medie kanë dhënë deklarata duke e akuzuar Klinikën e Nefrologjisë ku po trajtohej pacienti F.S.
Sipas tyre pacienti ishte me program kronik të Dializës.
”Në lidhje me raportimet në medie për rastin e djeshëm, të pacientit F.S., në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, e ku familjarët e pacientit, në medie, kanë akuzuar Klinikën e Nefrologjisë- Shërbimin e Dializës, se pacientit nuk i ishte realizuar Dializa, Klinika Nefrologjisë në QKUK, sqaron se pacienti F.S., ka qenë në program kronik të Dializës.Gjatë qëndrimit në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, pacienti kishte realizuar seancat e rregullta të dializës në Klinikën e Nefrologjisë. Vetëm javën e fundit ka realizuar disa dializa të rregullta. Me datë 8 janar 2023, me 10 janar 2023, 12 janar 2023, ditën e premte, 13 janar 2023, ka refuzuar të realizojë seancën e dializës, ndërsa ditën e shtunë, 14 janar 2023 ka realizuar seancën e plotë të Dializës e cila zgjatë 4 orë, sipas protokollit mjekësor. Pacientët kronik dializohen 3 herë nga 4 orë në javë, kurse pacienti në fjalë të shtunën ka realizuar seancën e plotë, 4 orë.Andaj, Klinika e Nefrologjisë njofton qytetarët e Republikës së Kosovës se është në shërbim të pacientëve 24-orë, për të gjitha raste që kanë nevojë për trajtim mjekësor në fushën e nefrologjisë”, thuhet në reagimin e Kësaj Klinike në facebook.