Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se pas një takimi me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, dhe të nominuarin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, është arritura marrëveshja për bashkëqeverisje.
Bashkë me Haradinajn në këtë takim ishte edhe sekretari i AAK-së dhe i nominuari për zëvendëskryeministër, Besnik Tahiri.
“Sot bashkë me të nominuarin për zëvendëskryeminsitër, Besnik Tahiri, patëm një takim me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa, po ashtu me të nominuarin për kryeministër, Avdullah Hoti. E arritëm marrëveshjen për koalicionin, për qeverisjen e re”, tha Haradinaj.
Haradinaj tregoi se AAK në qeverinë e re, do t’i ketë 4 ministri dhe pozitën e zëvendëskryeminsitrit.
“Besnik Tahiri do të jetë zëvendëskryeministër, Meliza Haradinaj-Stublla ministre e Jashtme, Selim Selimi ministër i Drejtësisë, Blerim Kuçi ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Ramë Lika ministër i Arsimit”, tha Haradinaj para gazetarëve.
Haradinaj ka thënë se tani çdo gjë është gati për seancën ku do të votohet qeveria e re.