Policia ka njoftuar se një grua është arrestuar në Prishtinë për mashtrim dhe prezantim të rremë si prokurore.
Ankuesja ka raportuar në polici se e dyshuara duke u prezantuar si prokurore ka marrë para nga ajo si shpërblim për t’ia kryer një rast.
Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike në Prishtinë ka arrestuar në flagrancë Orhidea Rama Gërxhaliu, 27 vjeçare, e dyshuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”.
Sipas të dhënave hetimore, e dyshuara gjatë muajit dhjetor 2025 është paraqitur rrejshëm si Prokurore e Shtetit, duke vënë në lajthitje viktimën H.D, 42 vjeçar . Me pretendimin se do të “ndërhynte” në trajtimin e një ankese të lidhur me rrjetet sociale dhe se paratë do të shpërndaheshin te zyrtarë të tjerë, ajo ka arritur të përfitojë shuma të mëdha parash që kalojnë 30 mijë euro.
Burimet e Sinjalit me hetimin bëjnë me dije se ankesa për të cilën pretendohej ndërhyrja nuk ishte raportuar kurrë në Polici, ndërsa paratë janë marrë vetëm për përfitim personal, shkruan Sinjali.
Pas sigurimit të provave materiale dhe dëshmive, hetuesit e NJHP-së kanë organizuar një plan operativ, duke e arrestuar të dyshuarën në flagrancë. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, asaj i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet për këtë rast po vazhdojnë.

















