Kuvendi i Kosovës, është duke e përgatitur një deklaratë e cila do t’i dërgohet Brukselit për çështjen e liberalizimit të vizave dhe kriterit për demarkacion me Malin e Zi.
Në takimin e djeshëm mes kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, është arritur ujdia qe Kuvendi bashkërisht të nxjerrë një deklaratë ku do të kërkoj nga Bashkimi Evropian qe qytetarëve të Kosovës, të mos u mohohet lëvizja e lirë si rezultat i mosratifkimit të demarkacionit me Malin e Zi.
‘Indeksonline’, ka siguruar kopjen e një deklaratë, e cila iu është dërguar Grupeve Parlamentare nga ana e kabinetit Veseli.
“Duke marrë për bazë këtë konsensus parimor, ne si përfaqësues të popullit, kërkojmë mirëkuptimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që qytetarëve të Kosovës të ju njihet e drejta e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. Ju njoftojmë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave”, thuhet në draft deklaratën e përgatitur nga kabineti i kryetarit Veseli.
Ndërsa, pritet sot gjatë ditës qe partitë ta vlerësojnë dhe t’i japin komentet e tyre përkitazi me këtë çështje.
Burime të ‘Indeksonline’, bëjnë me dije se sot ose më se largu nesër pritet të ndodhë një tjetër takim mes Veselit dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ku synohet të arrihet ujdia përfundimtare për këtë deklaratë.
Ndërsa, nuk dihet nëse Lëvizja Vetëvendosje do të jetë pjesë e kësaj deklaratë pasi dje asnjë përfaqësues i kësaj lëvizje nuk ka qenë pjesë e këtij takimi.