Igumeni i Manastirit të Deçanit Sava Janjiq ka thënë se votimi i sotëm në Këshillin Ekzekutiv të UNESCO-s ka treguar ndarje serioze,se situata nuk është aspak e thjeshtë dhe se UNESCO është bërë viktimë e politizimit.
“Mendoj se një pjesë e madhe e vendeve e vëren se hyrja e Kosovës në UNESCO me kushtet e tashme dhe me refuzimin e dialogut, është presion politik. Sa na përket neve, Kishës, po vazhdojmë jetën e rregullt krahas sigurimit të shtuar të KFOR-it dhe policisë nga provokimet e mundshme”, ka thënë ai për RTS-në, transmeton Koha.net.
“Kisha jonë mbetet hapët kundër statusit të Kosovës në UNESCO, sepse besojmë se vendet tona të shenjta nuk do të jenë të mbrojtura më mirë pa garancitë ndërkombëtare të cilat qartë do ta definojnë mbrojtjen e tyre të ardhshme. Për këtë arsye, KOS, përkundër kësaj propagande të Kosovës dhe të presionit politik, qëndrimin e vet do ta paraqesë në periudhën para Konferencës së Përgjithshme duke dëshmuar për dhunën shumëvjeçare ndaj trashëgimisë ortodokse në Kosovë e cila në pjesën më të madhe nuk është rinovuar dhe gjendet nëpër tokë e rrënuar (edhe pse Qeveria e Kosovës e pohon të kundërtën). Pa marrë para sysh epilogun e kësaj konference, marrëdhëniet tona me institucionet e Kosovës do të mbeten të suspenduara derisa Prishtina të mos tregojë gatishmëri për bisedime për mbrojtjen afatgjate të trashëgimisë serbe në kuadër të dialogut të Brukselit”,ka thënë Janjiq.
Sipas fjalëve të tij, përfaqësuesit e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk munden me dhunë të pushtojnë vendet tona të shenjta dhe se ne do të ekspozojmë pllakatet me dhunën kundër të krishterëve në Kosovë pas luftës si përkujtesë për të gjithë vizitorët që vijnë dhe për shoqërinë në të cilën jetojmë.
“Kjo është e drejta jonë ashtu siç është e drejtë e Kosovës të paraqesë informata e veta dhe fotot që shpërndan për anëtarë e UNESCO-s dhe për diplomatë të tjerë. Hapat tanë të mëtejmë varen ekskluzivisht nga vullneti i mirë i Prishtinës për të garantuar të drejtat tona dhe lirinë, por me garanci ndërkombëtare në Bruksel e jo garanci gojore”, ka thënë Janjiq i cili për këtë garanci ka kërkuar edhe ndërmjetësimin e BE-së e të ShBA në Bruksel.


















