“Kisha pritshmëri të mëdha” – Ish-përfaqësuesi i BE-së për Kosovën tregon tri pikat kryesore ku duhet të fokusohet Kosova

E publikuar: 17/02/2024 22:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Pieter Feith, në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ka thënë se kishte pritshmëri më të mëdha për shtetin më të ri demokratik të krijuar në Ballkan.

Ai është shprehur se priste që elita politike të bëhej bashkë për të krijuar një plan afatgjatë dhe afatmesëm për ecurinë e Kosovës, e jo të kishin kaq shumë mosmarrëveshje mes tyre.

Sipas tij, tashmë Kosova do duhet të ndalet në tri pika kryesore në mënyrë që të ecë përpara, pika këto që kanë të bëjnë me unitetin politik, normalizimin e situatës pas luftës dhe mbajtjen pranë të aleatëve dhe miqve.

“Kisha pritshmëri të mëdha kur 16 vite më parë, u shpall pavarësia që bëri bashkë të gjitha forcat politike dhe liderët politikë për një qëllim të vetëm. Pika ime e parë është se fatkeqësisht nuk shikoj që shoqëria dhe elita politike të tregojnë unitet të mjaftueshëm për të ecur përpara.”

Feith ka thënë se nuk sheh vullnet politik për të rënë dakord mbi prioritetet e vendit.

“Mendoj se institucionet në Kosovë po funksionojnë mirë, por ajo që unë shpresoja është se liderët politikë do të bëheshin bashkë e do dilnin me një program të përbashkët për Kosovën në një plan afatgjatë dhe afatmesëm. Koha e shpenzuar me mosmarrëveshje mund të kishte qenë kohë e harxhuar në përfitim të Kosovës”, ka deklaruar ai në një intervistë për Euronews Albania.

“Pika e dytë, është se normalizimi i situatës pas luftës nuk është arritur plotësisht. Unë uroj që me marrëveshjen e Ohrit vitin e kaluar dhe me implementimin e programit të ndërmjetësuar nga Bashkimi evropian do të ndërmerren hapa pozitivë. Por këtu janë dy palë, Kosova nuk është e vetmja, realiteti është se në këto momente nuk po shikojmë mjaftueshëm hapa drejt pajtimit dhe pavarësia e Kosovës ende kontestohet nga Serbia, ky është një lloj zhgënjimi për mua.”

“Së treti, kemi një kontekst dramatik të zhvillimeve gjeopolitike, me influencën që vjen nga Rusia me luftën që po zhvillohet në Ukrainë që kërcënon të gjitha palët, gjë që do të thotë se duhet të jemi të qartë për këtë, se Kosova nuk është në top listën e prioriteteve të kancelarive ndërkombëtarë sikurse ishte 16 vite më parë. Ne po shikojmë edhe atë që po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Zgjedhjet po afrohen dhe në pushtet mund të vijë Donald Trump.”

Sa për sanksionet ndaj Kosovës, ai ka thënë se janë të panevojshëm dhe duhet të hiqen, por “Qeveria e Kosovës duhet të veprojë”.