Kinemaja – si e drejtë themelore

E publikuar: 03/09/2017 00:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Dr. Mirela Oktrova

Shtypi gjermano-verior informonte së fundmi për një peticion të banorëve të Eckenford-it, një qytet turistik 23 000 banorësh në bregun e Detit Balltik, të cilët protestonin kundër zgjatjes së punimeve për ndërtimin e kinemasë së qytetit dhe u kërkonin autoriteteve lokale normalizimin urgjent të situatës. Peticioni, i organizuar spontanisht një të shtunë paradite në pedonalen e qytetit ishte shndërruar në ortek – në radhë për të hedhur firmën ishin edhe politikanët lokalë e madje dhe anëtarët e këshillit bashkiak.

Të gjithë e kuptonin indinjatën e qytetarëve, që u duhej të udhëtonin 30 km deri në kinemanë më të afërt dhe shqetësimin e tyre, se situata rrezikonte të “zbonte” nga qyteti Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Ekologjik… . Për ta – një reagim i nevojshëm, për arritjen e një qëllimi legjitim. Për ne, një realitet i pabesueshëm… veçanërisht për ata, që e njohin “rezistencën solide” anti-kinema të publikut të shumë qyteteve të Shqipërisë, të mësuar 27 vjet rresht me mungesën e kinemasë dhe përjetimeve, që ajo fal … .

Vallë janë gjermanët një përjashtim në “dashurinë” e tyre për kinemanë?

Sipas Eurostat shqiptarët shpenzojnë rreth 800 000 Euro në vit për bileta kinemaje ose 0.5,- Euro në vit për frymë, krahasuar me 14, – Euro që shpenzohen për frymë në BE dhe 30,- Dollarë në vit për frymë, që shpenzohen në SHBA. Situata perceptohet më saktë, nëse mbajmë parasysh, se ky investim bëhet vetëm në Tiranë, pasi rrjeti i kinemave në zonat e tjera të Shqipërisë është në mjerim. Po ndryshe nga fusha të tjera, ku mund të ankohemi për mungesë tradite – sado paradoksale që kjo duket – ky është një mjerim moshatar me “demokracinë”… .

Se dokumentat arkivorë dëshmojnë, se kinemaja e parë në Tiranë i takon vitit 1926, se Mbretëria Shqiptare ka shpërndarë jo pak licensa kinemash dhe se veprimtaria e tyre asokohe ishte tejet e rregulluar. Shteti subvenciononte kinematë, si një biznes me rrezik, pasi publiku nuk e njihte kinemanë, ndonëse mbështetja përshtatej me numrin e shikuesve, për të stimuluar pronarët t’i tërhiqnin ata. Kinematë nuk lejohej të kishin të njëjtin program, për të ruajtur shumëllojshmërinë e ofertës, censurë nuk kishte dhe administratorët e kinemave i blinin filmat vetë në Europë dhe Amerikë.

Shtimi i kinemave dhe mënyra e menaxhimit të tyre e afruan shpejt publikun me to. Tradita e kinemasë në kryeqytet u konsolidua deri në atë masë, sa bileta e kinemasë shërbente si justifikim për të dalë edhe në orët e ndalimit të qarkullimit gjatë pushtimit italian dhe gjerman. Në fund të luftës Tirana trashëgoi 10 kinema. Edhe pse kinematë degraduan në salla gjygjesh dhe repertorin e mbyti cenzura, rrjeti mbijetoi dhe u shtua. Në vitet ’80 Shqipëria numëronte 450 salla kinemaje pa llogaritur kinematë shëtitëse.

Po sot? Ç’ka ndodhur me dhjetë kinematë e Tiranës, tetë të Vlorës, tre të Korçës, pesë të Shkodrës, tre të Beratit? Po me kinematë e Librazhdit, Tropojës, Maliqit, etj.?

Zjarri, uji, amortizimi i aparaturave të projeksionit, tërmeti apo ndryshimi i destinacionit rezulton të ketë ç’bërë një traditë, që do të duhej të ishte duke rrumbullakosur shekullin. Polikat aktuale të menaxhimit të filmit – nën presionin e lobeve të producentëve – kanë ngurtësuar vëmendjen e institucioneve te prodhimi, duke i rezervuar pak ose aspak vëmendje destinacionit të paanashkalueshëm të filmit – kinemasë apo/dhe publikut. Atij publiku, që prej 25 vitësh ka harruar të shijojë kinema, ndonëse me taksat, që paguan financon edhe prodhimin e filmave, që refuzon të shohë.

Po a i duhet kinemaja filmit bashkëkohor?

Në fakt filmi mund të quhet i përfunduar vetëm pasi shfaqet në kinema. Regjisorët e të gjitha kohërave – përkundër trendeve dhe koniukturave të gjithfarëllojshme – kanë mëtuar t’u sqarojnë audiencave, se kinemaja është thelbësore për suksesin e tij. Në rolin e rregullatorit, të orientuar nga kërkesa, kinemaja dikton repertorë, garanton oferta filmike bashkëkohore dhe stimulon suksesin e filmit vendas. Po kinemaja është edhe qendër e rëndësishme kulturore. Sidomos në zonat rurale apo me infrastructurë të varfër, kinematë janë foleja e fundit, ku komuniteti mblidhet së bashku për të shijuar kulturë, çka e lidh atë së brendshmi nga pikëpamja social-kulturore.

Së fundi, kinematë shërbejnë edhe si verifkim për subvencionimin e filmit. Shfaqja e filmit në kinema dhe rezonanca e tij në publik është etalon për popullaritetin e filmit, pra jep informacion për rentabilitetin e fondeve të përdorura. Kush më shumë se ata, që paguajnë nga xhepi i tyre, kush më shumë se taksapaguesit ka të drejtë të shijojë dhe vlerësojë produktin? Për këtë arsye, politikat evropiane të filmit e shohin subvencionimin e filmit dhe të kinemasë si dy anë të së njëjtës medalje: kinematë moderne dhe të mirëmenaxhuara i shërbejnë filmit për të afruar audiencën po aq sa filmi cilësor u shërben atyre të tërheqin publikun dhe të mirëmanaxhohen. Kjo është arsyeja, përse subvencionimi kombëtar i filmit duhet të synojë ekuilibrimin e të dyja anëve. Aq më tepër në një shoqëri si kjo e jona, që është ç’mësuar gjithmonë të shkojë në kinema… .

Po që publiku ta “gjejë” kinemanë, ai duhet ta njohë, kuptojë dhe vlerësojë atë. Që “gropa 27-vjeçare” të mbushet, politikat e filmit duhet të shkojnë pazgjidhshmërisht paralelisht me përfshirjen e “Njohurive për kinemanë” në programet mësimore të të gjitha niveleve, me synim edukimin e një “kompetence filmike” përshtatur sipas grupmoshave. Përgatitja e trupës pedagogjike përkatëse, krijimi i fondit të posaçëm të filmave edukues, furnizimi me material historik dhe aktual mbështetës, hartimi i planeve dhe identifikimi i subjekteve koordinuese për arritjen e këtij qëllimi, që sigurisht kërkon jo vetëm mbështetje ligjore por edhe financiare, janë disa hapa, që mund ta konkretizonin idenë – fillimisht si program pilot dhe më pas si detyrim.

A përbën kinemaja nevojë për njeriun modern?

Sa më shumë intensifikohet jeta dhe shumëfishohet oferta mediatike, aq më pak kohë i mbetet njeriut në dispozicion për veten dhe aq më pasiv bëhet në përpunimin e alternativave të argëtimit. Në këto kushte, një ofertë, që hyn në sallonin e gjithkujt është shumë më e pranueshme se sa një tjetër e kufizuar në kohë dhe vend të posaçëm ofrimi. Edhe digjitalizimi, interneti dhe telefonia celulare janë një sfidë tjetër, që krahas konkurrimit të medias tradicionale, po e ofron edhe filmin në ekrane gjithnjë e më të vogla dhe në oferta gjithnjë e më praktike. Por, kinemanë sikurse teatrin do të vazhdojë ta mbajë gjallë “magjia” e vizionit kinematografik dhe marrëdhënia që secili prej nesh vendos në errësirë me protagonistët e ekranit. Njeriu i zbuluar në atë thellësi dhe intensitet që vetëm kamera mund ta bëjë, shoqëruar me madhësinë, që vetëm kinemaja mund ta ofrojë, është krejtësisht “yti” si spektator. Konsumit të përciptë dhe të vetëndjerit e kontrollit mbi atë që ndodh në ekranin e vogël të shtëpisë i’a zë vendin magjia dhe dorëzimi i plotë ndaj asaj që vjen – pa u shqetësuar nga telefoni që bie, fëmija që qan, apo fqinja që gatuan… një shkëmbim i fuqishëm, që të rrëmben, të bën të varur dhe të paaftë për t’i rezistuar tundimit.

Natyrisht, nëse e kupton dhe di ta duash…! Dhe nëse të lënë ta shijosh!

Nëse jo, duhet të dish ta kërkosh dhe ta marrësh të drejtën tënde…,

… si banorët kinema-dashës të Eckenford-it!/Mapo.al/