Kina synon ta çojë në mbi dy milionë numrin e stacioneve bazë 5G deri në fund të vitit 2022, për të zgjeruar zbatimin e teknologjisë së përparuar që sjell lehtësi për jetën e njerëzve, bëri të ditur ministri kinez i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Xiao Yaqing.
Ai e bëri njoftimin në të ashtuquajturin “Korridor i ministrave”, të mbajtur pas mbledhjes së dytë plenare të sesionit të 5-të të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin të martën në mëngjes.
Me më shumë se 1.4 milion stacione bazë 5G deri më tani, që ofrojnë shërbime për më shumë se 500 milionë përdorues, Xiao theksoi se “Kina është udhëheqëse në botë në aspektin e teknologjisë dhe shkallës së rrjetit 5G”.
Ai tha se zhvillimi i 5G-së solli përfitime konkrete për njerëzit, duke përmendur si shembull transmetimin e drejtpërdrejtë të Olimpiadës Dimërore të Pekinit 2022.
Ministri shtoi se qeveria do të zgjerojë më tej skenarët e aplikimit të rrjetit 5G dhe do të bëjë përgatitje paraprake për zhvillimin e 6G-së, brezit të ardhshëm të teknologjisë së komunikimit.