Ministria Kineze për Industrinë akordoi ditën e Enjte katër licenca 5G për operatorët shtetërore China Telecom, China Mobile, China Unicom dhe China Broadcasting Network duke shënuar një hap madhor drejt revolucionit të gjeneratës së re celulare.
Ekspertët e industrisë së telekomunikacionit besojnë se 5G hap rrugë drejt avancimeve të mëdha në inteligjencë artificiale dhe makinat autonome.
Licencat janë akorduar në fund të 2018-ës për kompanitë të cilat donin të bënin testime ndërsa kjo është hera e parë që marrin dritën jeshile për implementimin e teknologjisë për përdorim komercial.
Akordimi i licencave vjen pak kohë pasi Huawei, prodhuesi Kinez më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit, u godit rëndë nga Uashingtoni i cili e vendosi në listën e zezë duke ja ndaluar kompanive Amerikane të bëjnë biznes me të.
Ligjvënësit në Uashington besojnë se gjiganti Kinez përdoret nga Pekini për të përgjuar vendet Perëndimore. Ato gjithashtu kanë kërkuar nga qeveritë në vend të tjera të botës të bëjnë të njëjtën gjë.
Por Huawei thotë se ka siguruar plot 46 kontrata komerciale 5G në 30 shtete dhe ka shitur mëse 100,000 stacione 5G. /PCWorld Albanian