Kina dhe Kanadaja bien dakord për uljen e tarifave pas takimit Xi–Carney në Pekin

E publikuar: 16/01/2026 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Udhëheqësi kinez, Xi Jinping, dhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, kanë njoftuar uljen e tarifave tregtare pas një takimi të mbajtur në Pekin, duke sinjalizuar një përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Sipas marrëveshjes së arritur, Kina do të ulë tarifat për vajin e kanolës të importuar nga Kanadaja nga 85% në 15% deri më 1 mars. Ndërkohë, Kanadaja do të vendosë një taksë prej 6.1% për automjetet elektrike të importuara nga Kina, sipas normës së “kombit më të favorizuar”.

Kjo marrëveshje vlerësohet si një përparim i rëndësishëm pas vitesh marrëdhëniesh të tensionuara dhe masash ndëshkuese reciproke. Xi Jinping e cilësoi këtë zhvillim si një pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe.

Nga ana tjetër, marrëveshja përbën edhe një fitore politike për Mark Carney, i cili është lideri i parë kanadez që viziton Kinën pas gati një dekade, raporton BBC.

Carney po synon të diversifikojë tregtinë e Kanadasë dhe ta zvogëlojë varësinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri më i madh tregtar i vendit, për shkak të pasigurisë së krijuar nga tarifat e paqëndrueshme të vendosura nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja mund të hapë gjithashtu rrugën për më shumë investime kineze në Kanada, e cila ndodhet shumë pranë kufirit amerikan. Vetë Carney la të kuptohej se ky afrim është pjesërisht pasojë e tarifave të SHBA-së, të cilat kanë shtyrë një aleat kyç amerikan drejt rivalit të tij më të madh.

Ai u shpreh se marrëdhëniet e Kanadasë me Kinën kanë qenë më “të parashikueshme” muajt e fundit dhe se bisedimet në Pekin i kishte parë si “realiste dhe të respektueshme”. Megjithatë, Carney theksoi se Otava nuk është dakord me Pekinin për çdo çështje, duke përmendur “vijat e kuqe” të Kanadasë, përfshirë të drejtat e njeriut dhe shqetësimet për ndërhyrje në zgjedhje.

Vëzhguesit vlerësojnë se vizita e Carneyt në Kinë mund të shërbejë si shembull për vende të tjera që po ndjejnë presionin e tarifave amerikane. Ndërkohë, Xi Jinping po përpiqet ta paraqesë Kinën si një partner global të qëndrueshëm, duke promovuar marrëdhënie më pragmatike dhe bashkëpunim me fitim reciprok.