Sami Khedira është zyrtarisht futbollist i Juventusit. Pas plot pesë sezonesh në Spanjë me Realin e Madridit mesfushori transferohet kështu në radhët e kampionëve të Italisë, me të cilët firmosi një kontratë 4-vjecare, që e lidh 28-vjecarin gjerman me klubin bardhezi deri më 30 qershorin e vitit 2019. Blerja e Khedira-s u shpall nga vetë drejtuesit e Juventusit, të cilët në një komunikatë në adresën zyrtare të klubit e përshkruajnë futbollistin më të ri të tyre si një ndër interpretuesit më të kompletuar të rolit të mesfushorit, te i cili ndërthuren më së miri forca fizike, gjendja e mirë atletike, vizioni i lojës, teknika e shkëlqyer, aftësia për të bllokuar kundërshtarët si dhe forca goditëse në gjuajtjet nga distanca.
Khedira vjen nga një sezon i komplikuar me Realin, fillimisht për shkak të një dëmtimi dhe më pas për arsyen se nuk dëshironte të rinovonte kontratën e tij me klubin merengues, e për rrjedhojë mesfushori gjerman koleksionoi vetëm 17 ndeshje zyrtare duke përfunduar shpesh herë në tribunë. Komunikata e klubit vazhdon duke shtuar se në dispozicion të Allegrit do të vihet një lojtar plot karakter dhe klas, me shumë eksperiencë ndërkombëtare, gati për të pasuruar akoma më tepër një ndër repartet e mesit të fushës më të fortë dhe më të kompletuar në botë.
Sami Khedira konsiderohet si një ndër futbollistët më të mirë në rolin e tij dhe karriera e tij e deritanishme është tepër e pasur. Fillimisht mesfushori fitoi titullin e Bundesliga-s me ekipin e qytetit të tij të lindjes në vitin 2007, skuadër ku qëndroi për katër sezone. Khedira i shtoi koleksionit të tij gjithashtu edhe një Champions League, një Kupë Bote për Klube, Superkupën e Europës, Superkupën e Spanjës, 2 Kupa Mbreti si dhe një titull kampion në Primera Division me Realin e Madridit. Si kapiten i 21-vjecarëve fitoi trofeun nën urdhrat e trajnerit Horst Hrubesch ndërsa verën e kaluar numri 6 i përfaqësueses gjermane fitoi Kupën e Botës në Brazil, ndonëse mungoi në takimin final për arsye dëmtimi./ss/