KFOR-i dhe EULEX-i nuk japin detaje se si ndodhi kidnapimi i tre policëve

E publikuar: 15/06/2023 20:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, e as EULEX-i, nuk kanë dhënë shumë detaje të mërkurën, për mënyrën se si ndodhi kidnapimi i tre policëve kufitar të Kosovës, nga xhandarmëria e Serbisë. Në këtë rast, zyrtarët policor vlerësohet se vepruan drejtë, duke mos përdorur armët

Në këtë lokacion ndodheshin tre policët kufitar të Kosovës, të cilët u kidnapuan të mërkurën nga njësite speciale të Ushtrisë dhe Xhandarmërisë së Serbisë.

Përveç Policisë së Kosovës, përgjegjëse për këtë zonë kufitare është edhe NATO.

Mirëpo, përkundër kësaj, KFOR-i përpos që kanë thënë se janë duke bërë hetime akoma nuk ka dhënë detaje për këtë ndodhi të rëndë.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se KFOR-i zakonisht vepron kështu në ngjarje të tilla.

“Në këtë aspekt unë mendoj se edhe institucionet e Kosovës, liderët politik të Kosovës, duhet të jenë deri në një masë me u rezervu se tek kush e vnojnë gishtin në situata të tilla. Përderisa shumë veprime të institucioneve të Kosovës janë shumë legjitime, edhe kanë për qëllim shtrirjen e zbatimit të ligjit, po kthehem prapë te ajo që situata atje në teren e kërkon edhe një zgjidhje politike”, ka thënë ai.

Sikurse KFOR-i për rastin, nuk dëshirojnë të japin shumë detaje as në EULEX.

“Siç është theksuar nga zëdhënësi kryesor për punë të jashthme dhe politikën e sigurisë, Peter Stano, BE-ja është në kontakt me të dyja palët dhe për të vërtetuar se çka dhe si ka ndodhur saktësisht. Ne e ritheksojmë thirrjen e BE-së për deeskalim të menjëhershëm dhe të vendosur”, ka deklaruar Donika Berisha – Zëdhënse e EULEX-it.

Në këtë përgjigje për Dukagjinin, zëdhënësja e EULEX-it, Donika Berisha, thotë se janë duke i monitoruar nga afër zhvillimet në veriun e Kosovës.

E arrestimi i zyrtarëve policor, Balaj thotë se ishte një provokim i rëndë nga Serbia.

“Unë mendoj që edhe kjo ka qenë një kalkulim politik që është shpresu në përshkallëzim të situatës dhe në një destabilizim të mëtutjeshëm dhe mendoj se është profesionale dhe me fat që Policia e Kosovës në këtë rast nuk ka rënë në këtë provokim politik, por megjithatë e kemi rezultatin që e kemi dhe tash duhet të fokusohemi në sigurinë e policëve që mbahen në Serbi”, ka deklaruar Balaj.

Në një adresim para mediave, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se tre policët janë duke u mbajtur si të burgosur, duke u respektuar të gjitha të drejtat.