Gjatë ditës së sotme, në Kosovës kanë arritur përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar dhe ai i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ata u pritën në takim nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani, si dhe Kryeministri Albin Kurti, ku më pas kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.
Zëvendësndihmës sekretari i ShBA për çështje evropiane, Gabriel Escobar, ka thënë se shteti i tij e mbështet Pavarësinë e Kosovës.
Escobar siguroi se Kosova e ka një partner dhe mik të mirë si SHBA-ja.
“Ju duhet të jeni miq me Shtetet e Bashkuara”, tha ai, ndërsa foli se si Kosova duhet ta ndjek rrugën e saj euroatlantike.
“Nga perspektiva amerikane dua vetëm të theksoj se Shtetet e Bashkuara mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ju jeni evropianë, ju jeni historikisht, kulturalisht dhe ekonomikisht evropianë”, tha ndër tjerash diplomati amerikan, teksa foli edhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit.
“Ju keni mik të mirë dhe sa i përket rajonit është rajon me mundësi të jashtëzakonshme. Ne po punojmë me kolegët evropian që rajoni i Ballkanit të kenë mundësi të jenë pjesë e BE-së. Shpresojmë të arrihen përmes procesit të dialogut. Ju duhet të jeni miq me ShBA. Ky proces do të jetë në mbështetje të BE”, ka thënë Escobar.
Ndërsa, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se kjo është vizita e tij e shtatë në Kosovë sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.
Ai tha se vizita e përbashkët me Escobarin është mesazh se SHBA dhe BE-ja punojnë së bashku për procesin e dialogut.
“Për mua është vizita e shtatë për dialog. Por jemi këtu me kolegun Escobar për të dhënë mesazh se BE dhe SHBA punojnë krah për krah për procesin e dialogut. Kjo ishte mundësi e mirë për planet tona dhe do të vazhdojmë bisedimet dhe do të qëndrojmë deri të mërkurën”, tha ai.
Para tyre, kryeministri Kurti foli për prioritetet dhe punët e Qeverisë, me theks në luftimin e krimit dhe korrupsionit.