Këta janë të propozuarit e LDK-së për ministra, ka edhe emra befasi

E publikuar: 27/04/2020 14:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë dritën e gjelbër nga presidenti i vendit Hashim Thaçi që të krijojë shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re. Deri më tani, LDK-ja ka nisur bisedimet me AAK-në dhe Nismën për të lidhur një koalicion qeverisës. Burime të T7 brenda LDK-së kanë treguar se kush do të jenë gjashtë emrat e LDK-së që do të drejtojnë ministritë si dhe postin e zëvendëskryeminitrit

T7 mëson se emrat e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për ministra janë: Vlora Dumoshi do të vazhdojë të udhëheqë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Agim Veliu do të vazhdojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Lumir Abdixhiku do të kalojë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve. Lutfi Zharku do të zërë vendin e Abdixhikut në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit. Hykmete Bajrami do të emërohet zëvendëskryeministre. Armend Zemaj do të jetë ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkaq, befasia në listën e LDK-së është infektologu Valbon Krasniqi, të cilin deri më tani jemi mësuar duke e parë në prononcimet e tij për gjendjen me COVID-19 në Kosovë.

Sipas këtyre informatave brenda LDK-së, Valbon Krasniqi do të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë.

Në Qeverinë Kurti, LDK-ja kishte edhe ministrinë e Mbrojtjes, të udhëhequr nga Anton Quni, por tani kjo ministri nuk do t’i takojë më LDK-së.

Ndërkaq, LDK-ja ka dhënë emrin e Avdullah Hotit si mandatar për kryeministër të Kosovës.

Ndërsa në bisedimet me LDK-në, është vendosur që AAK-ja të ketë tre ministra në qeverinë e re.

Kusht kryesor i LDK-së për partitë tjera për formim të qeverisë është që emrat e propozuar për ministra të mos kenë asnjë aktakuzë.

Ndërkohë përveç AAK-së dhe Nismës, është përmendur edhe AKR-ja e Behgjet Pacollit për të qenë pjesë e qeverisë së re, mirëpo kjo ende nuk është konfirmuar. /Express/