Festivali i 23-të Ndërkombëtar i Skulpturave të Dëborës në Harbin të Kinës tërhoqi artistë nga 17 vende të botës, duke e bërë akullin dhe borën shumë më tërheqës nga ç’ jemi mësuar ta shohim zakonisht.
Eventi 4-ditor vendos përballë njëri-tjetrit 100 konkurrentë të organizuar në 25 ekipe në garën për çmimet e mëdha. Atyre u duhet të punojnë mbi bazën e blloqeve të ngrira 3 metra të gjata, 3 të gjera e 4 metra të larta. Krijimet e skulptorëve ndodh rëndom që të prezantojnë personazhe apo të kenë një tematikë të mbështetur tek kulturat e tyre kombëtare.
Malajzia, për shembull, me një klimë klasike tropikale, sjell statujën e një peshkatari në një liqen që, në këtë rast, është i ngrirë.
Konkursi i skulpturave të dëborës është pjesë e festivalit më të gjerë të borës dhe akullit që çelet zyrtarisht në 5 janar e vazhdon deri në shkurt, duke ofruar dhe evente të tjera si karnevale në dëborë, rrëshqitje në akull, një spektakël fenerësh, futboll, hokej e ceremoni martesore, të gjitha në akull.
Ai e ka kthyer prej vitesh Harbinin në një destinacion të preferuar dimëror e në periudhën e festivalit qytetin e vizitojnë me mijëra turistë./tch