Këshilli Prokurorial diskutoi për qarkullimin në llogaritë bankare të kandidatëve për Kryeprokuror

E publikuar: 09/04/2015 17:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili para disa javësh e nominoi Aleksandër Lumezin për kryeprokuror të Shtetit, në një nga mbledhjet e tij kishte diskutuar edhe për qarkullimin e qindra- mijëra eurove në llogarinë e tij bankare, për të cilat Gazeta Blic dje i kishte publikuar disa dokumente, që kishte nxitur edhe reagimin e Shefit të Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiun të kërcënoj Gazetën Blic dhe drejtuesin e Bordit, Astrit Gashit.

Burime të Gazetës Blic të afërta me procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, kanë thënë se në një nga mbledhjet e këtij këshilli është diskutuar edhe kjo çështje. “Anëtarët e Këshillit kanë diskutuar për dokumentin që është publikuar nga Gazeta Blic, ku kandidati për kryeprokuror, Aleksandër Lumezi kishte qarkullim prej qindra – mijërave eurove në llogarinë e tij rrjedhëse. KPK kishte kërkuar raport nga Njësia e Inteligjencës Financiare në lidhje me konkursin për Kryeprokuror të Shtetit”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.

Pas publikimit të këtij dokumenti gjatë ditës së djeshme nga ana e Gazetës Blic, shefi i Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu e ka thirrur në telefon drejtuesin e Bordit, Astrit Gashi duke e kërcënuar.

Ai i ka thënë Gashit se nuk e di se çfarë dokumenti ka publikuar, duke e paralajmëruar për pasojat që do t’i ketë. Ndaj këtij kërcënimi ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, pjesëtarë të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të subjekteve politike opozitare./ Gazeta Blic