Presidenca Çeke e Këshillit Evropian ka thënë të enjten se është e domosdoshme që të qartësohen edhe disa çështje, për të çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën.
Përmes një deklarate të publikuar pas debatit të mbajtur nga grupi punues për vizat në këtë Këshill, Presidenca Çeke ka thënë se duhet të vazhdojë diskutimi.
Në deklaratë është përmendur se grupi punues e ka mbajtur të enjten diskutimin e parë rreth vizave për Kosovën, nën Presidencën Çeke.
“Komisioni Evropian e ka prezantuar raportin e tij të përditësuar për këtë çështje, që rikonfirmon se Kosova vazhdon të plotësojë të gjitha kushtet për liberalizim”.
Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë marrë vesh se Franca ka propozuar që procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e sistemit për siguri në Evropë, ETIAS.
Franca kushtëzon liberalizimin e vizave
Ky propozim është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ky sistem – krejtësisht elektronik – mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Schengen.
Procedura ligjore për të miratuar sistemin ETIAS ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën më 2018.
Më 12 tetor të këtij viti, ky Komision ka konfirmuar në Raportin vjetor të Progresit se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se shteti i ka përmbushur të gjitha kriteret.