Gjykata Komerciale e Kosovës në shkallë të dytë ka refuzuar ankesën e KESCO dhe ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm që i jep të drejtë ZRRE lidhur me një çështje kyçe që ndikon drejtpërdrejt në tarifat e energjisë elektrike në vend, raporton Infosot.
Sipas aktgjykimit të vitit 2026, gjykata ka vlerësuar se ankesa e KESCO-s ishte e pabazuar dhe se vendimi i shkallës së parë është marrë në përputhje me ligjin dhe provat e paraqitura. Në këtë mënyrë, mbetet në fuqi vendimi i ZRRE-së i vitit 2022, i cili përcakton disa parametra financiarë për llogaritjen e tarifave të energjisë për periudhën 2022-2024.
Thelbi i kontestit ka të bëjë me përqindjen e borxheve të këqija, pra faturat e energjisë që nuk paguhen nga konsumatorët dhe që konsiderohen të paarkëtueshme. Këto përqindje janë pjesë e formulës mbi bazën e së cilës përcaktohen tarifat e energjisë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat që mund të justifikojë furnizuesi.
Me vendimin e kontestuar, ZRRE kishte përcaktuar që niveli i borxheve të këqija të llogaritet në 2.4 për qind për vitin 2022, 2.2 për qind për vitin 2023 dhe 2.0 për qind për vitin 2024. KESCO kishte kërkuar anulimin e kësaj pjese të vendimit, duke pretenduar se këto nivele nuk reflektojnë realitetin financiar dhe e vendosin kompaninë në pozitë të vështirë, pasi sipas saj, niveli real i faturave të papaguara është më i lartë dhe nuk mbulohet përmes tarifave të lejuara.
Megjithatë, gjykata ka vlerësuar se ZRRE ka vepruar brenda kompetencave të saj ligjore. Sipas arsyetimit, ligji për energjinë elektrike i jep rregullatorit të drejtën që të përcaktojë elementet përbërëse të tarifave në mënyrë që ato të reflektojnë kostot reale të furnizimit, ku përfshihen edhe borxhet e këqija si një komponent i zakonshëm në sektor.
Gjykata e shkallës së parë, vendimi i së cilës tashmë është konfirmuar, kishte konstatuar se vendimi i ZRRE-së ishte marrë pas një procesi të rregullt dhe në përputhje me ligjin, duke marrë parasysh të gjitha kostot relevante, përfshirë prodhimin, importet, balancimin dhe shërbimet e furnizimit. Sipas saj, nuk ka pasur shkelje procedurale apo materiale që do të justifikonin anulimin e vendimit.
Edhe në shkallën e dytë është arritur në të njëjtin përfundim. Gjykata ka theksuar se pretendimet e KESCO-s për shkelje procedurale dhe për vlerësim të gabuar të fakteve nuk qëndrojnë, pasi procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe vendimi është bazuar në prova të mjaftueshme.
Sa i përket argumentit kryesor të kompanisë se këto përqindje janë të padrejta dhe nuk reflektojnë koston reale, gjykata ka vlerësuar se KESCO nuk ka paraqitur prova konkrete dhe bindëse që do të dëshmonin se vlerat janë vendosur në mënyrë arbitrare apo në kundërshtim me ligjin. Përkundrazi, është theksuar se përcaktimi i tyre hyn në kompetencën e plotë të rregullatorit dhe është pjesë e mekanizmit për balancimin e kostove në tarifat e energjisë.
Në përfundim, gjykata ka konstatuar se nuk ekziston asnjë shkelje që do të ndikonte në ndryshimin e vendimit, duke lënë kështu në fuqi vendimin e ZRRE-së dhe duke i dhënë epilog këtij kontesti në këtë fazë. Në thelb, vendimi konfirmon se sa nga faturat e papaguara të konsumatorëve mund të përfshihen në tarifë është çështje që i takon rregullatorit dhe jo kompanisë furnizuese.




















