Kerry përgëzon Vuçiqin për dialogun me Kosovën

E publikuar: 02/12/2015 19:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, pas vizitës në Kosovë ka udhëtuar drejt Beogradit. Ai atje është takuar me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq.

Kerry ka uruar kryeministrin Vuçiq për rrugën e Serbisë drejt integrimit evropian, duke përshëndetur iniciativën e Beogradit që të angazhohen në dialogun me Qeverinë e Kosovës, transmeton Koha.net.

“Respektoj iniciativën e Vuçiqit që të futet në dialog me Qeverinë e Kosovës dhe të bashkëpunojë me Prishtinën, që të kaluarën ta lënë në histori dhe për të përcaktuar një të ardhme më të mirë”, ka thënë Kerry në Beograd.

Kerry, i cili u është drejtuar medieve bashkë me Vuçiqin, ka thënë se Beogradi dhe Washtingtoni kanë interes të përbashkët luftën kundër ekstremizmit, për të fituar betejën për stabilitet dhe të ardhme demokratike në rajon.

Sekretari amerikan i Shtetit në fund ka thënë se Vuçiq po udhëheq Serbinë “në rrugën e rëndësishme të integrimit evropian”, e cila është e mirë për “ekonominë, jetë më të mirë, prosperitet dhe stabilitet”.