Kerry i shkruan Thaçit: SHBA do të ndihmojë në pranimin e Kosovës në UNESCO

E publikuar: 05/10/2015 17:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryediplomati amerikan i ka shkruar Hashim Thaçit dhe e ka lavdëruar qasjen e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, njëherësh ka kundërshtuar përpjekjet serbe për të ngjyrosur Kosovën si shtet radikal islamik.
Sekretari i Departamentit të Shtetit, John Kerry, i ka dërguar një letër zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçit, përmes të cilës ka premtuar përkrahje të plotë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në mes tjerash, në këtë letër, siç mëson KosovaPress, sekretari Kerry ka deklaruar se e njeh punën e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe premton përkrahje të plotë që të bëhet ky hap i rëndësishëm i cili forcon demokracinë sovrane dhe multietnike të Kosovës.

Sekretari Kerry gjithashtu kundërshton akuzat e Serbisë dhe të ministrit Daçiq, i cili akuzon Kosovën se është njësojë si ISIS. Në letrën e tij Kerry thekson se “Kosova ka dëshmuar partneritet me bashkësinë ndërkombëtare për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe kjo e bën pjesëmarrjen e Kosovës në UNESCO edhe më të rëndësishme, sepse UNESCO mbledh anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare për t ë promovuar luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm”.

Sekretari Kerry në letrën e tij thotë se “SHBA, si partner i palëkundshëm dhe mik i Kosovës, do të punojnë me juve në muajt në vijim dhe është aktivisht duke bashkëpunuar me aleatët tjerë për të ndihmuar pranimin e Kosovës në UNESCO”.