Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës kanë reaguar pas deklaratës së deputetes së Vetevendosjes, Fitore Pacolli, e cila në seancën e sotme ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online
“Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMSHK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend. Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara”, thuhet në njoftim.
“Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave”, thuhet ndër të tjera në reagim.


















