Kërkoi 5 mijë euro për të fshirë lajmin, arrestohet gazetari në Shqipëri

E publikuar: 13/02/2026 06:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari shqiptar Eljo Laze, është arrestuar nga Policia e Shtetit pasi dyshohet se i ka kërkuar një punonjësi të administratës para në këmbim të fshirjes së një lajmi në portalin që zotëron.

Bëhet fjalë për një shumë prej 5 mijë eurosh, që gazetarit i janë gjetur në ambientet e portalit Priza.al në pronësi të tij. 37-vjeçari akuzohet për shtrëngim me anë të kanosjes dhe mashtrim.

“Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5 mijë euro, që të fshinte nga portali që administronte, disa shkrime që kishte postuar për të, arrestohet 37-vjeçari. I arrestuari, me precedent për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen shuma e eurove dhe katër celularë.

Shërbimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale dhe ato të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një punonjësi të administratës publike, se ishte shantazhuar nga administratori i një portali, finalizuan operacionin e koduar “Portali 1”.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në zyrën e subjektit, në Tiranë, menjëherë pasi mori 5 mijë euro nga i dëmtuari, dhe u vu në pranga shtetasi E. L., 37 vjeç”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.