Ndikimi i COVID-19 mbi kompanitë e sektorit privat, si dhe implikimet në obligimet e tyre tatimore, por edhe marrëdhëniet e përgjithshme me Administratën Tatimore të Kosovës, ishin në fokus të tryezës së diskutimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se partneriteti i përfaqësuesve të sektorit privat me Administratën Tatimore të Kosovës është i rëndësishëm për operacionet e ndërmarrjeve të sektorit privat. Ai po ashtu tha se roli i ATK-së është kyç edhe në menaxhimin e detyrimeve tatimore pas vështirësive financiare të shkaktuara si pasojë e pandemisë COVID-19.
Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj foli për rolin që ATK ka luajtur gjatë pandemisë në mbështetje të funksionimit të bizneseve, duke theksuar thirrjen e këtij institucioni për aplikim për faljen e borxheve tatimore. Murtezaj foli edhe për nevojën e fuqizimit të bashkëpunimit me ndërmarrjet private për luftimin e ekonomisë joformale.
Ai mes tjerash falënderoi Odën Amerikane edhe për partneritetin konstruktiv.Në anën tjetër, Ardiana Bunjaku, thesariste e Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, si dhe drejtoreshë e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës lavdëroi Administratën Tatimore për punën e bërë në avancimin e sistemit elektronik të deklarimit tatimor, megjithatë ajo shprehu shqetësimin për procesin e rishikimit të politikave tatimore si në aspektin kohor, por edhe të qartësimit paraprak të ndryshimeve të mundshme.
Gresë Rexhepi, kryesuese e Komitetit Tatimor të Odës Amerikane dhe Menaxhere e Tatimeve në PricewaterhouseCoopers, po ashtu foli për rëndësinë e digjitalizimit të proceseve tatimore, gjë që ka ndikuar në rritjen e efikasitetit të deklarimit dhe pagesës së tatimeve por edhe në ngritjen e transparencës së përgjithshme. Ajo tha se së bashku më anëtarët e Odës Amerikane kanë përgatitur rekomandimet për politikat fiskale të lidhura me periudhën paspandemike, por edhe rekomandime të tjera të përgjithshme.
Përfaqësuesit e pranishëm të bizneseve ngritën çështjet që lidhen me funksionimin e sistemeve të Administratës Tatimore, por edhe me bllokimin e llogarive të tyre bankare gjatë periudhës tatimore, duke bërë thirrje për konsideratë nga ana e institucioneve shtetërore për shkak të vështirësive të tyre me të cilat përballen këto ndërmarrje tash e sa muaj.