Kërkohet dialog me BE-në për heqjen e demarkacionit si kusht për vizat

E publikuar: 11/10/2017 10:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave për Kosovën, po vazhdon të kritikohet nga përfaqësues të popullit kosovarë. Tashmë po kërkohet që të nisë një dialog me ndërkombëtarët që ky kusht të largohet meqë është i padrejtë.

Rasim Selmanaj, deputet i AAK-së ka thënë për “Indeksonline” se ndonëse Kosova e ka shtet mik Malin e Zi, marrëveshja nuk mund të arrihet pa u ratifikuar në Parlamentet e dy vendeve.

“Malin e Zi e kemi shtet mik, na kanë njoftë, kemi raporte të mira dhe jemi të interesuar të kemi raporte të mira, por një marrëveshje është legjitime kur ratifikohet në dy Parlamentet. Përderisa Parlamenti nuk e ratifikon, është marrëveshje inekzistente. Mendoj se vendimi me e bë një komision të ri është vendim i qëlluar por ish dashur që Bashkësia ndërkombëtare ta heqë kushtin e demarkacionit për liberalizimin e vizave. Duhet të punohet dhe të binden miqtë ndërkombëtarë se është një kusht i panevojshëm dhe i padrejtë. Duhet të dialogohet për këtë”, është shprehur ai.

Selmanaj ka deklaruar se Mali i Zi duhet t`i dëgjojë argumentet e Kosovës. Sipas tij, të dy shtetet duhet të marrin vendim me faktet mbi tavolinë.

“Ish dashur të gjendet zgjidhje sepse edhe ata duhet me i ndëgju argumentet tona që i paraqet komisioni. Ne nuk po kërkojmë me marrë tokë të një shteti, po e kërkojmë të drejtën tonë. Për me e saktësu, duhet që në tavolinë të dalin argumentet dhe të merren vendime”, ka thënë ai.

Selmanaj ka rikujtuar deklaratën e tij kundër versionit aktual të demarkacionit, duke thënë se nuk e voton.