Prokurori Jack Smith ka kërkuar dënim të gjatë me burg për ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Smith, në fjalën përmbyllëse të Prokurorisë sot në gjykatë tha se “faktet nuk lënë asnjë pikë dyshimi se ai është fajtor”, raporton Gazeta Express.
“Ju kërkoj që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe t’ia jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet kaq të rënda që ai i ka kryer”, tha Smith.
Sipas tij, Mustafa kishte përgjegjësi direkte për krimet që Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon të jenë kryer në një qendër ndalimi në Zllash në vitin 1999.
Smith tha se hera e parë që një viktimë ishte rrahur atje, kishte ndodhur në praninë e Sali Mustafës, i cili, sipas tij, e kishte nisur rrahjen e viktimës.
“Ai modeloi egërsinë kriminale ndaj vartësve të tij duke marrë pjesë drejtpërdrejt në rrahjen barbare të burgosurve, duke u dhënë atyre leje për të bërë të njëjtën gjë”, tha Smith.
Smith tha se ai kishte thënë “në mënyrë të padiskutueshme dhe po e nënvizoj: unë jam Shtabi”.
“Ai ishte një figurë komanduese në BIA në të gjitha drejtimet. Ai jepte urdhra dhe ato urdhra ndiqeshin”, shtoi prokurori, duke folur për një “autoritet të plotë” të Mustafës atë kohë.
Në fund, ai theksoi kërkesën e Prokurorisë për Gjykatën Speciale.
“Ju kërkoj që ta shpallni të akuzuarin fajtor për krimet e akuzuara dhe t’ia jepni dënimin e rekomanduar, sepse kjo është rruga e drejtë dhe e përshtatshme për krimet kaq të rënda që ai i ka kryer”, tha Smith.
Fjalën përmbyllëse, në të cilën do të propozojnë dënimin, po e prezantojnë sot prokurorët, ndërsa të mërkurën, më 14 shtator, mbrojtja e Mustafës dhe përfaqësuesi i viktimës do ta thonë fjalën e tyre përfundimtare.
Të enjten më 15 shtator palët do të shkëmbejnë argumente shtesë.