Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, është deklaruar rreth kërkesës së djeshme të emisarit special të SHBA’së, Gabriel Escobar, që tha se Kosova duhet të ketë një propozim deri më 2 maj kur në Bruksel takohen udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.
Konjufca tha se Kosova s’duhet të ndërmarrë ndonjë veprim pa ndodhur njohja de facto nga Serbia.
Unë mendoj që në dy binarë është e ndërtuar marrëveshja. binari i parë është njohja de facto nga ana e Serbisë, ndërsa binari i dytë është Asociacioni, të cilin Kosova – qeveritë e mëparshme dhe një mazhorancë e mëparshme – në vitin 2013 e ka pranuar. Kosova duhet të tregojë që nuk ka kurrfarë obligimi dhe nuk duhet me bë asnjë pa u realizuar binari i parë, që është njoha de facto”.
I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dje ka thënë se ai pret që të ketë një propozim nga Qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.
“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha dje Escobar./Express/