Deklaratat e fundit të zyrtarëve të LDK-së se do të dalin me kandidatin e tyre për president, po shihen si deklarata joserioze nga partneri i koalicionit, PDK.
Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, ka thënë për ORAinfo se deklarata të ngjashme zyrtarët e LDK-së kishin dhënë edhe pas zgjedhjeve nacionale të vitit të kaluar, kur krerët e LDK-së, ishin zotuar se me asnjë çmim nuk do të hynin në koalicion qeverisës me PDK-në, por ndodhi e kundërta.
Musmurati beson se marrëveshja për bashkëqeverisje PDK- LDK-së, e cila parasheh që Hashim Thaçi në vitin 2016 të bëhet president, do të respektohet pikë për pikë.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë sipas tij, nuk ka arsye vazhdimi i këtij koalicioni.
“Ne presim që marrëveshja të zbatohet plotësisht. E nëse LDK-ja nuk e voton Thaçin president, atëherë nuk do të kishte kuptimi që ky koalicion të vazhdojë edhe me tutje”, ka thënë Musmurati për ORAinfo.
Kohëve të fundit janë shtuar zërat brenda LDK-së, të cilët kanë thënë se nuk do ta votojnë Hashim Thaçin për president, duke kërkuar nga LDK-ja që të dal me kandidatin e vet.
Pas Vjosa Osmanit, Arben Gashit, Adem Saliajt, Dorentinë Malokut e Armend Zmejat, edhe Sadri Ferati gjatë ditës ka thënë se LDK do të dal me kandidatin e saj për president.
Zgjedhjet për president pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm, kohë kur presidentes së tanishme Atifete Jahjaga i përfundon mandati pesë vjeçar.