Kërcënojnë këshilltarët e BDI-së në Butel: Tërhiqni vendimin për kryqin ose…

E publikuar: 26/02/2016 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesit e BDI-së në Komunën Butel të Shkupit, shprehin pakënaqësinë e tyre kundër vendimit të shumicës së këshilltarëve maqedonas, për vendosjen e një kryqi gjigant në Butel.

Sipas tyre, nuk është respektuar procedura ligjore në organet e Këshillit, dhe se nuk është marrë parasysh Parimi i Badenterit, i cili në këtë rast është normë ligjore, raporton Portali Albeu.

Ata kërcënojne se nëse nuk tërhiqet vendimi nuk mbajnë përgjegjësi për pasojat.

“Ne përfaqësuesit e BDI-së në Komunën Butel të Shkupit, publikisht shprehim pakënaqësinë tonë të skajshme dhe të mbarë popullatës shqiptare të kësaj komune, kundër vendimit jolegjitim të shumicës së këshilltarëve maqedonas, për vendosjen e një kryqi gjigant në Butel.

Rikujtojmë opinionin publik dhe të gjitha instancat shtetërore dhe ato ndërkombëtare, se aspak nuk është respektuar procedura legale nëpër organet e Këshillit, dhe se nuk është marrë parasysh Parimi i Badenterit, i cili në këtë rast është normë ligjore.

Përmes këtij reagimi, ne ritheksojmë se nuk jemi kundër kryqit apo fesë tjetër, meqë deri më tani edhe në Butel janë ndërtuar shumë kisha ortodokse, dhe kjo ne nuk na ka penguar. Populli shqiptar është i dëshmuar për tolerancën fetare.

Mirëpo, në rastin konkret shihet qartë se bëhet fjalë për një provokim të hapur ndaj afër 50 përqindëshit të popullatës Butelit, e cila nuk i takon fesë ortodokse.

Tani nga qarqe të caktuara dhe të dëshmuara si antishqiptare, siç është Kongresi Botëror Gjithëmaqedonas, përkrahur ndoshta edhe nga rrymat politike, po përdoret feja për revanshizëm politik. Kjo është shumë e rrezikshme jo vetëm se për mirëqenien dhe bashkëjetesën ndërmjet bashkësive të ndryshme etnike e fetare në këtë komunë, por edhe për mbarë vendin.

Prandaj, kërkojmë publikisht nga kreu i Komunës së Butelit dhe nga këshilltarët e partive maqedonase, që seriozisht ta rishqyrtojnë këtë vendim të mbapshtë e jolegjitim, dhe këtë provokim të hapur antishqiptar e antiislam. Në të kundërtën, ne nuk mund të mbajmë përgjegjësi në rast se ky akt ndikon në prishjen e raporteve ndëretnike e ndërfetare, apo nëse gjendja e sigurisë do të del nga kontrolli, thuhet në deklaratën e këshilltarëve të BDI-së në Butel. /albeu.com/