Kërcënohet drejtori i BBC-së, Tony Hall

E publikuar: 29/03/2015 13:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia në Britani është duke e hetuar një kërcënim me vdekje ndaj drejtorit të përgjithshëm të rrjetit televiz publik në Britani, BBC, Tony Hall.

Kërcënimi thuhet se është bërë ditën kur ai ka vendosur që përfundimisht ta largojë nga puna prezantuesin e njohur, Jeremy Clarkson, ish udhëheqësin e emisionit ‘Top Gear’.

Ky vendim që erdhi si rezultat i asaj që BBC e prezantoi si “sulm të pa provokuar fizik dhe verbal të Clarksonit ndaj producentit të tij” ka zemëruar shumë adhurues të prezantuesit të njohur britanik.

“Kërcënimi është bërë përmes postës elektronike”, njofton policia britanike, raporton Reuters.

Tani hetimi po zhvillohet për të verifikuar se nga ku është nisur emaili, megjithëse përmbajtja e mesazhit tregon se ai mund të jetë dërguar nga jashtë Mbretërisë së Bashkuar.

Gazeta britanike, ‘Mail on Sunday’ e ka publikuar sot një fotografi ku shihet se si Hall dhe familja e tij janë vënë në mbrojtje të një ekipi elitë truprojesh.

“Top Gear” është emision që transmetohet në mbi 200 vende, ndërsa konsiderohet si më fitimprurësi për BBC-në, me 74 milionë dollarë fitime në vit./Rel/