Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin vjetor mbi luftën kundër terrorizmit në botë, gjatë vitit 2014, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme, njofton Zëri i Amerikës, shërbimi në gjuhën shqipe.
Rreth 150 – 200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupit Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah. Nga këta, rreth 20 janë vrarë.
Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste.
Publikimi në internet i një videoje që tregonte një luftëtar terrorist nga Kosova duke i prerë kokën një të riu në Siri, nxiti qeverinë që të fillonte një operacion anti-terrorist në shkallë të gjerë.
Qeveria e Kosovës e mirëpret bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për përpjekjet anti-terroriste. Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar autoritetet vendase për disa raste aktive anti-terroriste.
Kosova është anëtare e Koalicionit Global kundër Grupit Shteti Islamik dhe ka marrë masa për të ndihmuar në këtë përpjekje brenda aftësive dhe kufizimeve të saj. Ajo është përqëndruar kryesisht në pengimin e rrjedhës së luftëtarëve të huaj terroristë, në zbulimin dhe kufizimin e financimit të grupeve terroriste dhe në dhënien e ndihmës humanitare për refugjatët nga Siria.
Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj, terroristë të kthyer.
Qeveria e Kosovës ka filluar të shqyrtojë mënyrat për t’iu kundërvënë propagandës së Shtetit islamik, por nuk ka hedhur ende ndonjë hap konkret.
Kosova ka një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse, që mbulon gjithë aspektet kriminale që lidhen me terrorizmin. Kodi Penal i Kosovës, ndjek modelin e OKB-së përsa i përket ligjeve anti-terroriste.
Autoritetet e Kosovës miratuan ligjet përkatëse në vitin 2014 që e bën krim pjesëmarrjen ose mbështetjen e grupeve ushtarake që veprojnë jashtë Kosovës.
Autoritetet nuk kanë përvojë në trajtimin e rasteve të lidhura me terrorizmin. Komunikimi dhe shkëmbimi i informacionit mbetet një sfidë për organet e rendit. Paaftësia e prokurorëve për t’u marrë me rastet që kanë të bëjnë me terrorizmin i vështirëson më tej përpjekjet për t’i nxjerrë të dyshuarit para drejtësisë. Shtetet e Bashkuara i ndihmojnë nga afër autoritetet për rastet që lidhen me terrorizmin.
Qeveria e Kosovë kreu opracionin më të madh anti-terrorist në verën e vitit 2014, kur arrestoi 59 individë nën dyshimin për aktivitete terroriste.
Kosova nuk është anëtare e Grupit të Punës për Veprime Financiare (FATF), një organizëm rajonal. Asaj i mungon sistemi i duhur për të regjistruar dhe vëzhguar OJQ-të, që marrin fonde nga burime të dyshimta.
Anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare është bllokuar për shkak të vendeve që ende nuk e njohin pavarësinë e saj, gjë që pengon bashkëpunimin për shumë çështje, përfshirë anti-terrorizmin.
Për shkak të kundërshtimit të Serbisë dhe mosnjohjes nga Bosnjë e Hercegovina, Kosova ndeshet me vështirësi për të marrë pjesë në nismat rajonale anti-terroriste.
Ky material u publikua fillimisht në VOA Shqip.