Policia e Kosovës, as nuk e ka mohuar e as nuk e ka pohuar lajmin e publikuar nga mediet kosovare, për sulme të mundshme terroriste në Kosovë.
Për këtë shkak, ka shumë gjasa që të anulohet koncerti tradicional, i parashikuar të mbahet më 4 korrik në Prishtinë, për nder të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I kontaktuar nga Top Channel, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka renditur përmes postës elektronike të gjitha aksionet e ndërmarra kundër terrorizmit, duke mos dhënë detaje konkrete lidhur me pretendimet e fundit.
“Policia e Kosovës ka nisur hetime dhe ka ushtruar kallëzime penale për mbi 130 persona, lidhur me pjesëmarrjen në organizata terroriste, organizimin, rekrutimin, nxitjen dhe financimin e individëve për t’iu bashkangjitur organizatave terroriste. Për të gjitha këto raste është duke u bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale. Në lidhje me këtë fenomen, deri më tani janë arrestuar mbi 80 persona dhe janë bastisur mbi 100 vendndodhje të personave të dyshimtë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Kelanit.
Burime të “lajmi.net” brenda Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se, institucionet e sigurisë në vend, duke përfshirë edhe ato të inteligjencës, kanë siguruar informacione, në bazë të të cilave konstatohet se xhihadistët shqiptarë me bazë në Siri dhe Irak, në koordinim me bashkëpunëtorët e tyre në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe vende të tjera të rajonit, janë duke përgatitur sulme terroriste.
Karshi kësaj situate, Policia e Kosovës – sipas këtyre burimeve, – e ka ngritur shkallën e mobilizimit në pikën më të lartë, me kujdes të veçantë objektet institucionale, si Kuvendi, Presidenca, Qeveria dhe ministritë. Ndërsa të hënën, për dallim nga ditët e kaluara, kadetët e rinj të Policisë së Kosovës dhe shoqëruesit e tyre janë pajisur edhe me jelekë antiplumb.
Ndërkohë, Policia e Kosovës njofton se ka kapacitete të mjaftueshme për të parandaluar dhe luftuar çdo formë krimi apo vepre penale, që bie në kundërshtim me ligjin, duke përfshirë edhe sigurinë në brezin kufitar, duke bashkëpunuar edhe me institucione të tjera të sigurisë në vend dhe ato ndërkombëtare. thc/