“Kërcënimet e ISIS-it në Kosovë duhet marrë seriozisht”

E publikuar: 28/12/2015 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njohësit e çështjeve të sigurisë, në Kosovë konsiderojnë se kërcënimet, të cilat vijnë nga grupit militant, Shteti Islamik, duhet te merren seriozisht, duke pasur parasysh sulmet e fundit në vende të ndryshme të Evropës.

Nuredin Ibishi, njohës i çështjeve të sigurisë dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri në Kuvendin e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet e rendit në Kosovë, planet që i kanë për sigurinë e përgjithshme, duhet t’i specifikojnë.

“Masat duhet të specifikohen më gjatë dhe normalisht, këto masa të jenë më afër publikut, jo vetëm të jetë një përgjegjësi e zyrtarëve të autorizuar, qoftë policorë, të inteligjencës apo edhe të sektorëve të tjerë të sigurisë. Edhe qytetarët duhet të kenë kujdes që të lajmërojnë rastet e dyshimta. [Policia] duhet t’i paralajmërojë qytetarët që t’u ikin tubimeve, kur mund të ketë pasoja”, tha Ibishi.

Ibishi thekson domosdoshmërinë e kontrolleve me të mëdha nga ana e Policisë së Kosovës dhe siç tha ai, kontrollet duhet të bëhen në automjetet transportuese dhe në ambiente të ndryshme.

“Mendoj se institucionet apo sektori i sigurisë, duhet të ndërmarrin kontrollet e automjeteve të transportit. Policia i ka autorizimet shumë mirë të specifikuara me ligjin e policisë, por edhe në Kodin e Procedurës Penale”, u shpreh Ibishi.