Kërcënim për sulm terrorist në “Prishtina Mall”, detaje nga rasti që çoi në kapjen e të miturit që bëri telefonatën

E publikuar: 05/11/2024 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E kërcënoi ‘Prishtina Mall’-in. Foli arabisht. Personi del të jetë në kontakt me grupe radikale, ani pse është i mitur. Por, AKI’ja e zbuloi shpejt.

Insajderi merr vesh nga burime përbrenda Policisë se qendra tregtare ‘Prishtina Mall’, ka pranuar një thirrje nga një i mitur, i cili ka përshëndetur në gjuhë arabe e më pastaj ka kërcënuar në gjuhën shqipe “krejt njerëzit aty brenda…” duke ndërprerë më pas lidhjen telefonike.

Burime të policisë bëjnë të ditur se i mituri është identifikuar brenda pak minutash nga AKI’ja, ku më pas është kapur në një objekt shkollor ku po vijonte mësimin.

Personi i mitur është i njohur për organet e drejtësisë, mëson Insajderi. Siç thonë burimet brenda Policisë së Kosovës, ai është radikalizuar vitin e fundit, kurse është vënë në kontakt me persona të radikalizuar në Lindje të Mesme dhe vende arabe.

Siç thonë këto burime, organet kompetente e kanë intervistuar dhe e kanë bastisur dhomën e tij, duke konfiskuar të gjitha pajisjet që kishte në përdorim.

Kërkesa për kërcënim, sipas burimeve brenda policisë, ka ardhur jashtë Kosovës nga grupe të radikalizuara.