​Keqtrajtimi i ish-krerëve të UÇK-së, Gruda: Kjo që po ndodh në Hagë është institucionalizim i padrejtësisë

E publikuar: 04/09/2025 19:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i PDK-së Përparim Gruda ka reaguar ndaj keqtrajtimeve që po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se keqtrajtimi i atyre që udhëhoqën luftën e pastër çlirimtare është e papranueshme, raporton KosovaPress.

“Të trajtohet në këtë mënyrë njeriu që ishte në ballë të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, është fyerje jo vetëm ndaj figurës së tij, por edhe ndaj gjithë popullit dhe shtetit të Kosovës. Kjo që po ndodh në Hagë është institucionalizim i padrejtësisë!

Një gjykatë që lejon praktika të tilla, duke harruar parimet themelore të drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor, e humb kredibilitetin e saj dhe shkel mbi besimin dhe pritjen që populli i Kosovës kishte që ajo të ofrojë drejtësi me standarde evropiane.”

John Devaney, roje burgu në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, ku po mbahen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, i ka keqtrajtuar dhe kërcënuar fizikisht katërshen e UÇK-së. Këtë e tha ish-presidenti Thaçi në seancën e 27 marsit 2025, kur kërkoi fjalën nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, raporton KosovaPress.

Devaney, tash prokuror, fillimisht ishte roje e thjeshtë në Sheveningen të Hagës, por u gradua në disa pozita brenda një periudhe të shkurtër.

Ish-eprorët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit prej vitit 2020, nën akuzat për kinse krime lufte.