Keqpërdorimi i Mazrekut dhe Berishës, shkaktuan dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro

E publikuar: 08/01/2026 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Keqpërdorimi i Mazrekut dhe Berishës, shkaktuan dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro

39 persona janë arrestuar në një aksion të madh të Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Policisë së Kosovës që ndodhi orët e hershme të kësaj të enjte, e ku në mesin e tyre është edhe ish-drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, e të cilët po dyshohet që i shkaktuan dëm këtij institucion në vlerë prej 1 milion euro.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu në konferencën për media ka treguar se cak ishin 47 persona, dhe se deri më tani kanë arritur që të sigurojnë 166 transaksione të dyshimta. Po ashtu bëhet e ditur se janë sekuestruar para kesh, stoli ari e armë, ndërsa janë bllokuar 1 milion e 300 mijë e 886 mijë euro.

“Rast ku ne sot kemi marrë urdhëresat e gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47 personave, mes tyre edhe një person juridik. Mund të konfirmojmë që këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore. Fjala është për keqpërdorimet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Cak i hetimeve është ish-drejtori ekzekutiv dhe ish-drejtori i financave të BKS-së, të cilët, duke keqpërdorur autorizimet që iu janë besuar nga BKS, iu kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të realizojnë transaksione, ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së. Po ashtu, kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara, ku ne deri në këtë fazë kemi vlerësuar se ato dokumente të dyshuara i kanë përdorur për përfitime personale dhe i kanë shkaktuar dëm BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro”, tregoi Kryeziu.

Deri më tani kanë siguruar 166 transaksione.

“Deri në këtë fazë ne kemi arritur që të sigurojmë 166 transaksione të dyshimta. Në mesin e tyre 25 transaksione kanë të bëjnë me 12 persona, me të cilët kanë arritur ujdi fiktive jashtëgjyqësore, kinse si përfaqësues të personave që më herët kanë pasur aksidente në komunikacion dhe i kanë kompensuar në vitin 2022 dhe 2023 përderisa personat tjerë kanë qenë të kompensuar në 2016 dhe 2017.Po ashtu kanë aplikuar edhe 141 transaksione të tjera të personave të ndryshëm pa asnjë dokument të vetëm dhe kanë bartur shuma të ndryshme, shuma më e  vogël ka qenë gjashtë mijë e 800 euro ndërsa më e larta 68 mijë euro. Aksionin e sotëm kemi pasur target 46 persona fizik dhe ka përfunduar me 39 persona të arrestuar që ka lëshuar prokuroria ndalim. Aksioni i sotëm që ka përfshirë gjithë territorin e Kosovës, nga Prishtina në Prizren, Mitrovicë, në Pejë, në Klinë, Rahovec, Obiliqi, Gjilan, Ferizaj e Dragash. nuk ka pasur regjion që nuk ka pasur bastisje kontroll dhe arrestime në lidhje më këto keqpërdorime”, tha ai.

Në këtë aksion janë sekuestruar 23 mijë e 700 euro para kesh, aksesorë të ndryshme, armë, pajisje elektronike, ndërsa janë bllokuar 1 milion e 300 mijë e 886 mijë euro.

“Sa i përket sekuestrimeve kemi sekuestruar të holla kesh 23 mijë e 700 euro, aksesorë orë të ndryshme armë, pajisje elektronike, gjithashtu kemi pasur bashkëpunim me Njësinë e Inteligjencës Financiare të bllokojmë të hollat në vlerë 1 milion e 300 mijë 886 euro , kjo është bilanci kemi qenë në terren tetë prokuror kemi pasur rreth 400 zyrtarë policore”, tregoi ai.

“Ne kemi arritur të arrestojmë 39 persona përderisa shtatë prej tyre kanë rezultuar që janë jashtë Kosovës, mirëpo veprimet hetimore nuk do të ndalen në drejtim tyre, për secilin për veprimet e kundërligjshme do të përballen para organeve të drejtësisë. Ne do të kujdesemi në kuadër të mandatit që kemi BKS të sigurohemi ta kompensojmë cent më cent, prandaj kemi sekuestruar dhe ngrirë më shumë pasuri se sa ata kanë keqpërdorur që kemi prova. Por mos të harrojmë që jemi në fazë të hershme dhe këtu mund të kemi edhe vepra të tjera. Në mesin e të argëtuarve janë edhe ish drejtori i BKS-së dhe ish drejtori i Financave, shumica prej tyre janë duke i intervistuar në stacione policore përderisa prokuroria do të shfrytëzoj afatet ligjore për të kryer veprimet”, tha ai.

Kryeziu teksa tregoi për 39 të arrestuarit, ai bëri të ditur se shumica nga ta janë duke u intervistuar në stacione policore.

E sa i përket personit juridik ai tha se ai është jashtë Byrosë por që ka të bëjë me dy persona kryesor të BKS-së.

“Personi juridik është jashtë byrosë por ka të bëjë me dy personat kryesor të byrosë që dyshohet që e ka hapur këtë person juridik si konsulencë mendojmë që të hollat kanë kaluar në këtë pjesë por jemi në fazat e hershme për më shumë detaje”, ka treguar Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Shefi i sektorit të hetimeve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike në Prishtinë, kapiten Fatmir Karaliti tregoi se në aksion ishin të përfshirë rreth 400 zyrtarë policor.

“Kemi marrë një autorizim nga prokuroria e Prizrenit që është rast specifik ku Prokuroria e Prizrenit angazhon një grup prokuroresh ku për shkak të volumit të këtij rasti, po të njëjtën gjë ne e angazhojmë  një grup hetimor i cili në bashkëveprim të ngushtë me prokurorët e caktuar në këtë rast kanë kryer një punë të suksesshme që ka rezultuar me arrestimin e 39 personave dhe kontrolle dhe bastisje në disa lokacione. Operacioni është organizuar në shkallë vendi për shkak të shpërndarjes së personave të dyshuar, ky aksion ka përfshirë rreth 400 zyrtarë policor edhe pse kemi pasur kushte atmosferike të vështira rasti ka rezultuar me suksese dhe ka dëshmuar bashkëpunimin që ekziston mes Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës”, tha ai./EO