Keqmenaxhimi dyvjeçar i tenderit 1.7-milionësh rrezikon mijëra banorë të Prishtinës

E publikuar: 22/12/2018 10:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për më shumë se një vit e gjysmë Komuna e Prishtinës ka shfajësuar veten nga mosrealizimi i projektit të ndërtimit të kolektorit për largimin e ujit atmosferik dhe të kanalizimit fekal në lagjen “Kalabria”. Fajësonte problemet pronësore për ngecjen e projektit prej gati 1.7 milion eurosh. Transparenca gjatë realizmit të këtij projekti ka munguar. Komuna e Prishtinës nuk ka pranuar të japë përgjigje se pse ka nisur ndërtimin e kolektorit pa e zgjidhur çështjen e shpronësimit. Kanë pohuar se tash problemet janë zgjidhur dhe janë shfaqur të rejat. Kanë fajësuar kompanitë për shkeljen e kontratës. Nuk kanë treguar se cilat janë shkeljet e supozuara.

Liridona Hyseni/Prishtinë

Më shumë se 300 shtëpi me mijëra banorë përballen çdo ditë me erën e pakëndshme, e cila kundërmon nga ujërat e zeza dhe pasiguria që u shkaktohet nga rrjedha e lumit Mat në lagjen “Kalabria”. Kur temperaturat janë të larta banorët nuk mund të kalojnë rrugës afër lumit, për shkak të kundërmimit të ujërave të zeza. Ndërkaq kur fillojnë shirat lumi Mat, që shërben si mbledhës i ujërave të zeza, shkakton probleme në rrugë, shkruan “Insajderi”.  Mbi këtë lumë prej më shumë se 30 vjetësh është ndërtuar një urë e vogël. Tash ajo është gati krejt e pakalueshme. Ujërat e zeza të kanalizimeve kalojnë mbi të. Banorët nuk mund të kalojnë me veturë e as në këmbë mbi këtë urë.  Banorët e lagjes “Kalabria” kanë kërkuar që Komuna të shpallë gjendje të jashtëzakonshme edhe në këtë pjesë gjatë muajit tetor kur shumë lagje të Prishtinës ishin paralizuar për shkak të shirave. Autoritetet komunale shpërfillën kërkesën e tyre. 

Sadik Mehmeti, banor në këtë lagje, tha se veturat detyrohen të kthehen prapa për shkak se ura është e pakalueshme. “Ne këtu jemi lagje e madhe, askush më nuk ka ardhë me u interesu. Leje që nuk po mundemi me kalu me vetura por edhe era, nuk po mundemi me qëndru brenda prej saj”, ka thënë Mehmeti. 

Banori tjetër i kësaj lagjeje Feti Buzoku tregon për vështirësitë që kanë banorët nga mosndërtimi i kolektorit.  “Jeta është e vështirë, pasi këtu duhet të kalojnë gratë me fëmijë, rruga po bëhet vështirë e kalueshme, nxënësit duhet të shkojnë në shkollë nëpër këtë rrugë këtu”, tha ai./zeri.info