Keq, u dashurova në njerkun tim!

E publikuar: 13/06/2015 23:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ime nënë është martuar në moshën 21 vjeçe me tim atë, por ishin ndarë kur unë nuk kisha mbushur as një vjeç, prandaj nuk e mbaj mend tim at, i cili u zhduk fare nga jeta jonë. Pas një viti ajo u lidh me një burrë tjetër, me të cilin bëri një vajzë tjetër. Por, as lidhja me të nuk funksionoi dhe ai iku njësoj si im at. Nëna ime nuk na fliste as për njërin e as për tjetrin, sigurisht, sepse nuk kishte kujtime të mira prej asnjërit. Dinim vetëm emrat e tyre dhe ndonjë gjë tjetër. Për babanë e motrës sime thoshte se ishte një dashuri e momentit dhe nuk donte të dinte më për të. Në fakt, nuk kishte asnjë kujtim prej tij, as letra, as fotografi. Për timin kishte nja 2-3 foto dhe fliste pak më shumë, por thoshte se ishte një njeri i papërgjegjshëm, egoist, që s’donte t’ia dinte për askënd.

Unë kurrë nuk kisha menduar shumë për tim at dhe nuk kisha kuriozitet ta njihja, por motra ime, po, kështu që filloi ta kërkonte kur u rrit…

Lidhja me time nënë kishte qenë gjithnjë pak e vështirë. Ajo ishte nevrike dhe binte shpesh në depresion. Na thoshte të dyjave se nëse nuk do të na kishte lindur ne, tani nuk do t’i duhej të punonte gjithë ditën për të na mbajtur dhe nëse baballarët tanë do të ishin sjell ashtu siç duhet, ajo nuk do të sakrifikonte jetën e saj si tani.


17 vjeçe u largova nga shtëpia

Ime motër ishte më pasive dhe mundohej t’i bënte qejfin nënës, ndërsa unë, nga ana ime, kisha vendosur t’i dilja zot vetes dhe të largohesha nga shtëpia një orë e më parë, sepse nuk e duroja atmosferën që krijohej aty. Një ditë u zura me nënën, e cila më ulëriti: “Ik nga shtëpia nëse nuk të pëlqen këtu!”. Unë, vërtet, u largova nga shtëpia. Isha 17 vjeçe dhe sapo kisha filluar punë si kameriere në një lokal. Gjeta një apartament bashkë me dy shoqe të mia dhe e morëm me qira.

Motra, që ishte dy vjet më e vogël se unë, u zemërua me mua dhe më mbante mëri pse isha larguar nga shtëpia. Megjithatë, i ruanim lidhjet dhe mundoheshim të takoheshin herë pas herë. Në një nga këto takime, ajo më rrëfeu se kishte nisur të kërkonte të atin e saj… Kërkimet ecnin ngadalë dhe mua më dukej se nuk e kishte marrë shumë seriozisht këtë punë. Nganjëherë bile mendoja se e bënte për inat të nënës, e cila nuk donte më të dëgjonte për baballarët tanë dhe nuk donte që edhe ne t’i kërkonim. Kur unë mbusha 21 vjeç, motra më rrëfeu se kishte gjetur adresën e të atit të saj. Me sa dukej, kishte qenë marinar dhe tani punonte në atë ndërmarrje. Ajo i shkroi një letër, pa e ditur nëse do të merrte përgjigje. Për çudinë e saj, gati tri javë pas letrës mori një përgjigje nga i ati, në të cilën i shkruante se edhe ai kishte dashur ta njihte. Motra ishte e entuziazmuar, ndërsa nëna jonë, kur e mori vesh, u zemërua shumë.

Motra ime filloi të takohej me të atin. E merrte në telefon dhe dilnin bashkë herë pas herë. Pas disa kohësh, ajo vendosi t’ma prezantonte dhe ne dolëm në darkë për të pirë kafe. Më pëlqeu dhe e ndjeva se edhe unë i pëlqeva atij. Ishte një burrë shumë simpatik, në të dyzetat. Pas asaj dite u takuam edhe disa herë të tjera bashkë, por me kohë u mundova ta harroja dhe secili vazhdoi jetën e vet…

Ndarja me të dashurin pas 4 vjetësh
Në atë kohë, unë po ndahesha nga i dashuri im, me të cilin kisha 4 vjet që isha lidhur. Isha 28 vjeçe. Më vonë mora vesh se edhe motra me të atin e saj ishin larguar nga njëri-tjetri. Me sa dukej, risia e takimit babë-vajzë kishte humbur atë kuriozitetin e fillimit dhe ata s’kishin ç’të tregonin më, kështu që shiheshin vetëm në raste të rralla. Një ditë mora një telefonatë nga babai i saj, ose thënë shkurt: njerku im. Kërkoi të shiheshim dhe gjatë takimit u tregua shumë i dashur, korrekt dhe i sjellshëm. U takuam edhe herë të tjera dhe e ndjeva se të dy po i futeshim një rruge pa krye, megjithatë kurioziteti nuk më linte të largohesha. Ai më tregonte për jetën e tij, gjërat interesante që dinte, më trajtonte me shumë delikatesë dhe butësi, por nuk guxonte të bënte hapin e parë. I kisha treguar për këtë edhe shoqes sime të ngushtë, e cila më qortoi…

Megjithatë, ai mua më tërhiqte shumë: shikimet, bisedat me të, pjekuria dhe ëmbëlsia e tij. Asnjëherë nuk kisha njohur një burrë të tillë, meqë lidhjet e mëparshme i kisha pasur me djem të moshës sime, pak të papjekur dhe fëmijëror. Një ditë ai më ftoi për darkë dhe unë shkova. Ai më rrëfeu shumë gjëra për jetën e tij, në të cilën sigurisht, bënte pjesë edhe ime nënë. Takimet tona vazhduan dhe e ndjeja se më pëlqente çdo ditë e më shumë. Një ditë ndodhi ajo që pritej. Kur po ndaheshim, ai më puthi lehtë në faqe, por kur unë ula kokën pak e mërzitur, ai më kapi fytyrën me të dyja duart dhe më puthi fort.

Kështu, filloi lidhja jonë. E dija që nënës dhe motrës sime nuk do t’u pëlqente aspak kjo lidhje, por unë nuk doja ta privoja veten nga kjo dashuri, sepse kurrë nuk kisha njohur më parë një burrë që t’më pëlqente kaq shumë.

Për dy vjet e mbajtëm fshehtë lidhjen tonë. Por, edhe lidhja jonë përfundoi si me time nënë…/www.kosovarja/